E veçantë/ Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e shtatë e Kategorisë Superiore

“Njëherë po dhe njëherë jo”! Me këtë lojë, Kukësi të lutet edhe për Europën!

Kur nisi ky sezon në kampionatin shqiptar, Kukësi u shpallë si një nga pretendentët kryesore për ta fituar Superioren. Sigurisht, nisur nga merkato dhe shpenzimet e shumta për lojtarët e sjellë, verilindorët nuk mund të kishin një objektiv tjetër. Por në këtë sezon të ri, jo vetëm që nuk po bindin, por duken tërësisht larg edhe shumë ekipeve të tjera që mund ta nxjerrin dhe nga loja e Europës. Megjithëse me pikë diferencat nga vendi i parë e deri te i 7-ti ku është Kukësi, nuk shkon më shumë se 2 pikë, vijmësia tregon shumë më tepër. Nëse në ekipet e tjera jemi të ndërgjegjshëm se kur po kalojnë një moment të mirë dhe të keq, kjo nuk ndodh me skuadrën e Duros. Tre fitore dhe tre humbje ka marrë në 7 ndeshje të kampionatit, duke mos harruar edhe barazimin me Laçin. Por kjo ka qenë realisht edhe forma që ka treguar edhe Kukësi përgjatë kësaj kohe: “Njëherë po, skuadër që ndez dhe njëherë jo, ekip që nuk të bind as për Europën”. E njëjta situatë edhe në pjesën e sulmit, ku pavarësisht kualiteteve që të frikësojnë në letër, nuk mbajnë të njëjtën formë çdo ndeshje. Nëse në një javë treshja e sulmit do të shpërthejë, atëherë në tjetrën do të jetë totalisht në hije. Duro, duhet të ndryshojë diçka në ekip, sa pa përgatitur valixhet. Me durimin dhe nervat e presidentit Gjici, nuk mund të luhet.

Shifra të çmendura në sulm, po me Vllazninë çfarë ndodhi këtë herë?

Vllaznia e nisi në mënyrën më të mirë kampionatin shqiptar, duke fituar me rezultatin 1-0 ndaj Laçit. Por pas këtij takimi ishte e njëjta histori që përsëritej. Mbrojtja dhe portieri në nivel fantastik, ndërsa sulmi nuk e gjente dot shënjestrën. Nëse këta të fundit do e kishin rregulluar problemin prej kohësh, atëherë shkodranët do të ishin të vetëm në krye të renditjes. 1 gol kishin shënuar lojtarët e Vllaznisë në 5 ndeshjet e para të Superiores. Por nëse marrim ato 2 takime të fundit, ndaj Skënderbeut dhe Kukësit, futbollistët shkodranë kanë arritur të shënojnë 6 gola. Shifra të çmendura këto nëse i krahasojmë me ato të mëparshmet, me lojtarët që duket se e gjejnë më mirë motivimin me ekipet e mëdha dhe që të lënë më shumë hapësira.

Barazimin zgjedh që ta djegë, Skënderbeu dhe pak leksion nga filozofia e Ilir Dajës

Për të gjithë ata që menduan se Skënderbeu do të ishte sa për numër në këtë kampionat, pas dënimit që ka marrë me përjashtimin nga Europa, atëherë janë gabuar shumë. Tmerrësisht shumë madje. Në këto 7 javët e para të kampionatit, korçarët janë një nga katër ekipet që po kryeson në Superiore. Më mirë nuk mund të bëhej, me një ekip që është dëmtuar shumë në anën psikologjike dhe ka një motiv më pak se të tjerët për të luftuar. Por po tregon të njëjtën dëshirë në fushë. Ndoshta mund të mos llogaritej si skuadër, nëse në drejtim nuk do të ishte Ilir Daja. Por me këtë të fundit ndryshon gjithçka. Një trajner që ka dërguar formulën e suksesit kudo ku ka shkuar. Madje edhe në filozofinë e tij të lojës  para ndeshjes me Luftëtarin e ka thënë qartë: “Një fitore vlen sa tre barazime. Prandaj të provojmë dhe të rrezikojmë gjithçka”. Skënderbeu është e vetmja skuadër që nuk ka një barazim, pasi Daja provon të gjitha mënyrat për ta fituar takimin, pavarësisht se mund të dështojë në fund. Një trajner ndryshe nga çfarë jemi mësuar në Shqipëri, por në fund llogaritë janë të thjeshta: “Një sukes i kësaj skeme, vlen sa tre ndeshje aq shumë të mundimshme për të nxjerrë një pikë nga ekipet rivale”.

Derbi fillon një javë para dhe…mbaron një javë pas! Ekipet e kryeqytetit janë me orën mbrapa

Një pohim tifozëve të futbollit dhe mbështetësit e ekipeve të kryeqytetit në Shqipëri, Tiranës dhe Partizanit, sa herë ka një derbi, është: “Fillon një javë para përgatitja”. Por këtë herë ka mbaruar edhe një javë pas, nëse vërtet ka marrë fund. Të dyja këto skuadra ishin ende me orën mbrapa, duke i lënë jo pak gjurmë ajo përballje. E pranuar edhe nga vetë Mema, lojtarët ishin disi në gjumë pas asaj humbje që pësuan ndaj Partizanit. Një zgjim ia dha Hoxha me golin e tij të barazimit 2-2 me Flamurtarin, por ishin në minutat e fundit të pjesës së dytë dhe nuk kishte kohë për reagim. Nga ana tjetër, edhe festa e madhe i kishte “dehur” lojtarët e Partizanit. Përveç atij derbi të fituar, Lerda nuk bind dhe nuk arrin të nxjerrë më shumë se 1 gol në ndeshje nga ekipi i tij. Këtë herë ndaj Teutës duhet t’i falet asaj perle të Trashit, pasi në të kundërt, humbja do të ishte shumë pranë. Të kuqtë janë futur pa shumë ide në fushë dhe ishin tërësisht jashtë asaj që pritej që në momentin kur ishin me 11 lojtarë, pasi dalja me kartonin e kuq, do e kishte edhe një justifikim më të fortë si argument. Gjithsesi, ato 35 minuta mund të mjaftonin për të dalë në një përfundim për mënyrën sesi Lerda do e menaxhonte një situatë ekstreme, pas asaj ku rrezikonte edhe shkarkimin, për të mbërritur te heroi i skemës dhe fitores ndaj Tiranës. /Sport Ekspres/