E veçantë/ Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e katërt e Kategorisë Superiore

Ndërsa kampionati shqiptar e ka mbyllur siparin e tij sa i përket javës së katërt, pas rikthimit nga pushimi i Kombëtareve, “Sport Ekspres” ju sjell edhe verdiktet e mësuara nga këto takime:

1- Në ngricën e shkallëve të stadiumit, si të fitojë Bledi Shkëmbi titullin në Superiore?

Teuta është një prej atyre skuadrave që janë konsideruar si pretendente për të luftuar për titullin kampion. E nisur kjo nga rezultatet pozitive që kanë marrë durrsakët në tre ndeshjet e para, por edhe me deklaratat e Shkëmbit, që e ka shprehur hapur dëshirën e tij për të luftuar në këtë front. Por sa larg është mundësia me dëshirën? Ndoshta trajneri me skemat e tij mund të afrojë skuadrën me forcat e para të Superiores. Por për të hyrë në këtë garë, kërkohet edhe mbështetja. Sërish në Durrës është parë një numër tërësisht i ulët i tifozëve. Një ndeshje si ajo ndaj Vllaznisë, mund të vendosej edhe nga “lojtari i 12”. Më shumë mbështetje që vjen nga ana e tifozëve, i jep më tepër fuqi ekipit për të shkuar te goli. Por në një stadium që mbizotëron “ngrica” në atmosferë, nuk mund të pretendohet e pamundura. E vetmja gjë e sigurtë është që skuadra e Teutës ka nevojë dhe meriton më shumë mbështetje, pasi situata të tilla si me Vllazninë do të përsëriten dhe një shtysë duhet t’i vijë nga tifozët, për të cilët luhet e gjitha kjo. Në të kundërt, askush mos t’i kërkojë trajnerit Bledi Shkëmbi që të luftojë për Superioren.

2- Jonuz nuk mund të shënojë nga stoli, Vllaznia do të ishte në podiumin e përkohshëm.

Çuditërisht Vllaznia gjendet në vendin e ftohtë të kampionatit shqiptar, atje ku gjendet shumë afër pozicioneve që të rrëzojnë nga Superiorja. Por çfarë mund të bënte trajneri Jonuz më shumë? Ndoshta asgjë! Në katër ndeshjet e para, ka arritur që të mbajë tre herë kundërshtarin larg, duke mos i lejuar që ta thyejë në asnjë rast. Vetëm dy gola ka pësuar Vllaznia deri tani dhe kanë ardhur pikërisht nga Tirana, në atë takim që doli nga kontrolli në të gjitha drejtimet. Ndoshta edhe prej vetë trajnerit nuk mund të kërkohet më shumë në anën e shkodranëve. Lojtarët e aspektit sulmues duhet të jenë më të qartë në konceptet e tyre dhe të konkretizojnë aksionet e krijuara. Nëse do e bënin një gjë të tillë, me ato gola të pësuara, sot Vllaznia do të gjendej në tre vendet e para.

3- Pakti i heshtur për të sjellë titullin për 100 vjetorin, prandaj Tirana është më e frikshme

Përse Tirana është më pranë titullit kampion këtë vit? Kjo është pyetja që shtrohet, ndërsa shumë njerëz gjykojnë se janë ende ndeshjet e para dhe nuk mund të flitet me saktësi që në këtë moment. Kjo qëndron, po aqsa fakti se bardheblutë nuk i kanë të gjithë lojtarët kryesorë të gatshëm. Madje edhe pa ta, kanë arritur të shënojnë 8 gola dhe të pësojnë vetëm 1 të tillë. Ekipi që ka shënuar më shumë gola në Superiore dhe njëkohësisht ekipi që ka pësuar më pak gola në këtë kampionat. Më mirë, nuk mund të kishte. Dy ndeshje delikate për të matur forcën dhe në të dyja ia dilet, që nga ajo transfertë ku u thye mallkimi në Shkodër, për të kaluar te Skënderbeu. Një detaj që është lënë mënjanë, është edhe pjesa e tifozerisë. Një stadium që ishte mbushur në pjesën më të madhe u pa ndaj Skënderbeut. Në kohët e fundit mbështetësit e bardhebluve kishin dalë shumë herë kundër presidentit, por në këtë kampionat, ka pasur edhe një pakt të heshtur. Tifozët kanë një objektiv më të madh përpara, që të sjellin së bashku me lojtarët titullin kampion për 100-vjetorin e klubit. E gjithë frika mbetet në momentin kur Tirana do të gabojë dhe do të rrëshkas për mënyrën sesi do të reagojë edhe vetë ambienti, nëse do të nisin sërish sulmet ndaj kryesisë që mund të sjellin edhe përmbysjen e gjithë këtij fillimi të bukur. Forca vjen nga grupi i bashkuar dhe Tirana është e vetmja e tillë për momentin!

4- Lerda humbi në provën e së vërtetës, historia me rezultatin 1-0 tani e mbushi kupën!

Ndeshja ndaj Laçit ishte edhe prova e parë e së vërtetës për trajnerin e Partizanit, Lerdës. Nëse ajo humbje ndaj Kukësit në transfertë për javën e parë mund të falej, pasi i mori nga duart Superkupën, kjo ndaj kurbinasve ishte e tepërt. E tillë mund të gjykohet pasi flasim për një ekip që kërkon të mbrojë titullin kampion. Ndaj një skuadre të etur për të marrë fitoren e parë, trajneri Lerda duhej të tregonte forcën dhe që të kthente gjithçka në avantazhin e tij. Jo vetëm që nuk ndodhi, por kurbinasit dominuan dukshëm lojën me rastet e pastra. Por ajo që është më e keqja, është mënyra sesi po perceptohet loja te Partizani nga trajneri. Në 4 ndeshjet e para, ka fituar ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit me rezultatin 1-0, ndërsa ka humbur ndaj Kukësit dhe Laçit po me rezultatin 1-0. 4 ndeshje janë pak, por për të gjykuar në lidhje me këtë statistikë, janë shumë. Tashmë Lerda po bëhet shumë i lexueshëm për të gjithë, duke e mbajtur ndeshjen shumë të mbyllur dhe në fund do të fitojë gjithmonë ai që do të shënojë golin e parë. /Sport Ekspres/