E veçantë/ Egbo e ka keq me krahët dhe makina e Partizanit! Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e 31 e Kategorisë Superiore

Nga Klaudio Ndreca

Egbo e ka keq me krahët! “Një ëngjëll që nuk përfshihet në lojë demonësh”, fluturon me Tiranën

“Egbo! Bën mirë të zbrezësh pak nga qielli dhe të merresh me problemet e tokës së Tiranës”! Ishte kjo mënyra sesi u komentua humbja e parë e bardhebluve në drejtimin e trajnerit në fjalë pas 16 ndeshjeve. Pra tërësisht e habitshme por kritika në Shqipëri të shtyn për në nivelin më të lartë, edhe përse vjen shpeshherë nga niveli më i ulët. Në media shohim shumë fytyra dhe dëgjojmë po aq fjalë, që në fund të ditës shumëzohen vetëm me një vlerë: “Zero”. Askush nuk do të mbajë mend se çfarë u tha dhe çfarë u diskutua, por se çfarë shkruhet në letër dhe mbetet në histori. Këtu futen statistikat e Tiranës së Egbosë që në 20 ndeshje kanë vetëm 1 barazim dhe 1 humbje, ndërsa përmbysja e fundit ndaj Skënderbeut është një prej të shumtave në këto përballje. Këto shifra nuk i ka askush tjetër në Shqipëri dhe kjo meriton të gjitha duartrokitjet. Mes zërave të shtuar për të mbytur Egbon me një “lojë demonësh”, trajneri i Tiranës nuk kërkon asnjëherë që të përfshihet në këtë kategori, duke zgjedhur që të fluturojë i pastër dhe i qetë! E ka keq me krahët!

Trajneri, arbitri, lojtarët, temperaturat/ Kukësit ia ka fajin…Kukësi! Ballshi ndihet i vjedhur në shtëpinë e huaj

Kush e ka fajin se Kukësi nuk po arrin dot në fitimin e titullit kampion? Ndoshta Duro që kishte më tepër kohë te ekipi apo edhe Shehi mund të bënte më mirë? Ndoshta për arbitrat që Kukësi ka ankesa si në rastin e Laçit, por nga ana tjetër edhe si ndaj Ballshit ku një gafë në vendim e kryesorit të takimit i jep tre pikët verilindorëve dhe vendos ndeshjen në Elbasan Arena. Sa i përket futbollistëve padyshim që një tërheqje të vëmendjes duhet të ketë për “yjet”, për t’i shpjeguar se spektakli dhe golat individualë me ego të tepruar nuk duhet të kërkohen kurrë, për sa kohë nuk po fitohet me të paktën dy gola diferencë. Këtë gabim Kukësi e ka bërë në shumë raste dhe i është kthyer në minutat e fundit. Së fundmi te skuadra është diskutuar edhe problemi i temperaturave ku të gjitha ndeshjet do të luhen në orën 20:45. Por ashtu siç do ta pranonte hapur dhe Gjici: “Kukësit ia ka fajin…Kukësi”! Të gjitha nënvlerësimet me ekipet e lehta që u gabua dhe golat radhazi të marra në minutë të fundit për mungesë të vëmendjes do të peshojnë dhe vlera e tyre ndihet tani.

Nxjerrë ende tym, por ecën! Makina e Partizanit niset drejt Europës duke shtuar marshin!

Duke nxjerrë ende tym, por në ndryshim nga më parë, tani po ecën. Kjo është makina e Partizanit që është nisur për rrugën drejt Europës duke e shtuar disi marshin. Ky do të ishte shpëtimi i vetëm për ekipin që ka zhgënjyer fillimisht të gjithë tifozët e tij. Pas shumë humbjeve radhazi, vijnë tre fitore njëra pas tjetrës. Nëse më parë bëhej fjalë për triumfe kundër ekipeve si Luftëtari dhe Flamurtari që kanë rënë nga Superiorja, këtë herë Çinari mposhti Laçin. Por frika është e madhe dhe nuk ka siguri nëse makina do mbërrijë deri në fundin e rrugës me problemet që ka. Boldor është aty për të shtuar edhe më shumë ankthin, siç do të bënte në disa raste ndaj kurbinasve teksa i falte mundësi të arta barazimi. Sormani duhet të mendojë më saktë lëvizjet për takimet e mbetura, ku Europa mund të arrihet,

Vllaznia është në pikë të hallit! Kërkon shpëtim për të mos u zhytur sërish, Teuta i shton ujin në anijen e prishur

Vllaznia kërkon ndihmë teksa ndodhet në një territor të pushtuar nga uji dhe me anijen që tashmë është e prishur. Teuta ka ardhur si një dallgë e fortë ku ka futur më tepër ujë dhe ka shtuar panikun e shkodranëve. Kjo sjellë kujtime të vjetëra tek Vllaznia atje ku vetëm pak vite më parë janë zhytur në mënyrën më të keqe kur përfunduan në Kategorinë e Parë. Kurrsesi nuk duhet të ndodhë përsëri! Por në këtë pikë ku gjenden ka jo pak gjasa që e shkuara e hidhur të përsëritet. Vetëm se këtë herë nuk dihet nëse Vllaznia do të dalë aq shpejt në sipërfaqe si herën e fundit apo do t’i kërkojë më tepër kohë, për të shtuar edhe më shumë dramën. Një dorë shpëtimi nuk jepet lehtë në këto kohë, ku gjithëkush shikon për më të mirën personale dhe të punës së tij. Pra as trajnerët shkodranë nuk mund t’ia hapin rrugën një Vllaznie që ka ndezur sinjalin e emergjencës. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *