E veçantë/ “Borxhi ndaj Gjicit dhe çudirat”, të gjitha verdiktet e mësuara nga java e 32 në Superiore

Nga Klaudio Ndreca

1- Safet Gjici kishte të drejtë dhe do borxhin! Mes triumfit ndaj Tiranës, Kukësi bëri autogolin e madh…

“Kukësi ka ekipin më të mirë në Shqipëri”. Ishte ky refreni më i përsëritur nga ana e Safet Gjicit sa herë që në media shtrohej pyetja për skuadrën më të mirë në Superiore, ku vinte krahasimi i menjëhershëm me Tiranën. Përballja e fundit mes këtyre ekipeve e tregoi qartësisht se verilindorët janë më mirë në cilësi individuale sesa bardheblutë, duke e superuar ekipin e Egbosë. Mes fitores së tretë në katër ndeshjet e zhvilluara me Tiranën në këtë sezon, faktikisht Kukësi bëri edhe autogolin e madh. Kjo ndeshje tregoi saktësisht se verilindorët i marrin lehtë të gjitha ndeshjet e tjera dhe është pikërisht ulja e motivimit dhe përqendrimit të futbollistëve që e ka dërguar situatën deri në këtë pikë. “Skuadra më ka ende shumë borxhe”, ishte kjo deklarata e dhënë së fundmi nga presidenti i Kukësit dhe gjithçka është e qartë, lojtarët duhet t’ia kthejnë.

2- Arbitri, temperatura, faji i lojtarit dhe…”po ti pse luan mirë kundër nesh?”. Superiore çudirash, i dëgjon të gjitha

Në Superiore i dëgjon të gjitha në intervistat pas ndeshjes të dhëna nga ana e trajnerëve. Për të justifikuar dështimin në rezultat apo një paraqitje që nuk ka shkuar ashtu siç pritej, arbitri është “shpëtimtari” i parë për t’i veshur gjithë përgjegjësinë. Në këto kohë të verës teksa luhet ende, temperaturat e larta janë një tjetër mbështetje për trajnerët, që mund ta justifikojnë në këtë mënyrë nivelin e dobët të lojtarëve të tyre. Por mbi të gjitha përgëzimi i Cungut për Flamurtarin ishte për t’u mos humbur. “Bravo për Flamurtarin që u kujtua të luante në Laç pas 700 javësh”. E përkëthyer ndryshe, në fjalë më të thjeshta, kërkohej llogari për vlonjatët se përse paraqiteshin dinjitoz në fushën e lojës kur ata kanë rënë në Kategorinë e Parë. Shqiptarët janë pak të padurueshëm, e kërkojnë gjithmonë rrugën e lirë pasi i streson “trafiku”.

3- A u zgjua Vllaznia? Shkodranët hapin njërin sy ndaj Luftëtarit, tani rrezikohet edhe “gjumi i thellë”

A u zgjua Vllazna? Kjo është pyetja që në fakt askush nuk e di saktësisht për t’u përgjigjur. Shkodranët kishin gjashtë ndeshje pa ndierë shijen e fitores dhe e bëjnë një gjë të tillë ndaj Luftëtarit falë Zhunior. Një çlirim për ekipin e Dedjas, por vetëm kaq! Shpresa nuk mund të rritet kaq papritur pasi nuk ishte kjo prova e së vërtetës, teksa po luhej me ekipin e rënë në Kategorinë e Parë. Por edhe përballja me Luftëtarin i ka dhënë tre pikët Vllaznisë që e kanë afruar me Bylisin në distancën prej dy pikësh. A është zgjuar Vllaznia? Shkodranët e kanë hapur njërin sy, duke kërkuar të përmenden, por nëse nuk çohen menjëherë nga shtrati, atëherë rrezikojnë “gjumin e thellë”.

4- Fantastikët e Martinit janë “djemë të mërzitshëm”, thyejnë rregullat e shpejtësisë

Edi Martini ka ndërtuar një skuadër që është e gjitha për t’u duartrokitur. Teuta po kalon një ecuri fantastike në Superiore, ndërsa duket e pamundur që dikush të ndalojë durrsakët. I njëjti ekip që i shkaktoi humbjen e parë Tiranës së Egobsë, i njëjti ekip që në 6 ndeshjet e fundit numëron 5 fitore, ndërsa barazimi i përket në përballjen me Kukësin. Statistikat flasin saktësisht se Kukësi do ta ketë një problem shumë të madh mposhtjen e durrsakëve në ndeshjen e radhës të kampionatit. Këta janë “djemtë e mërzitshëm” të Martinit sa i përket kundërshtarëve, që të gjithë kërkojnë evitimin e tyre në këtë moment. Vetëm mund të prishin punë! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *