E treta e vërteta, Barça kthehet te fitorja

Barcelona i kishte barazuar dy ndeshjet e fundit në La Liga dhe javën e shkuar luajti dobët, ndaj sot në Eibar pritej me interes nëse do të kishte një gabim tjetër, që do të rihapte kampionatin.

Nuk ndodhi kështu, sepse katalanët fituan 2-0, me nga një gol në skajet e ndeshjes.

Luis Suarez e zhbllokoi në minutën e 16-të, duke i dhënë qetësi Barcelonës, që luajti me formacionin e vet më të mirë, ndërsa në pjesën e dytë Eibari sulmoi shumë, por në minutën e 65-të Orejana e tradhtoi, sepse mori karton të verdhë për faull dhe më pas shkelmoi topin për të mos lejuar nisjen e aksionit. Karton i kuq, Eibari u zbeh dhe në fund Zhordi Alba mbylli llogaritë.

Fitore e çmuar, pa ndonjë shkëlqim të madh, që jep qetësi para Çelsit, të martën në Champions League. 26 fitore e 5 barazime në kampionat për skuadrën e Ernesto Valverdes, ecuria më e mirë pa humbje në histori, ashtu si Pep Guardiola në sezonin 2010/11, me 27 fitore e 4 barazime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *