E pranon edhe vetë Dallku, sulmuesi i Skënderbeut do të shkojë në Kosovë

Klubi i Prishtinës ka nisur fazën përgatitore për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa drejtuesit po mendojnë se si të përforcojnë më tepër grupin. Trajneri Dallku është shprehur për faqen zyrtare të kryeqytetasve se për ta nuk ka pasur pushime, pasi po mendojnë për emrat që mund të afrojnë në ekip.

Theksi vihet te sulmi, që në gjysmën e parë të sezonit ka çaluar disi dhe nuk ka përmbushur pritshmëritë. Për këtë arsye Prishtina është vënë në ndjekje të sulmuesit të Skënderbeut, Otto John. Dallku është shprehur i bindur se lojtari afrikan do të jetë i tyre këtë sezon, ndërsa ka shtuar se po kërkon futbollistë që e njohin kampionatin në mënyrë që të mos kenë vështirësi në përshtatje.

“Ne stafi nuk kemi pasur pushim fare dhe kemi insistuar të gjejmë futbollistë përforcues, sidomos në pjesën ofensive aty ku kemi çaluar më së shumti. Pra, kemi kërkuar lojtarin e përshtatshëm jo vetëm në filozofinë tonë të lojës, por edhe që e njeh kampionatin tonë dhe jo të gjejmë dikë që do të na merrte kohë deri në adaptim. Pra, nuk dua lojtarë të panjohur apo që nuk i njeh rrethanat e futbollit kosovar. Besoj se do t’ia arrijmë të sjellim atë që kemi dashur dhe mund të konfirmoj se jemi afër pothuajse 95% me Otto John”, ka deklaruar Armend Dallku./Sport Ekspres/