E plotë/ Reja flet për të gjitha: Nuk e kemi thënë fjalën e fundit, në Turqi vetëm për fitore

Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e Europianit, atje ku prova më e vështirë dhe si një finale e vërtet do të jetë ajo me Turqinë. Ndërkohë që është publikuar edhe lista e Kombëtares, atje ku ka pasur edhe disa surpriza të bukura me debutimin e Taulant Seferit apo të Lindon Selahit.

Në konferencën për shtyp, Reja ka shpjeguar zgjedhjet e tij, por njëkohësisht ka bërë edhe një analizë për takimet që do të luhet në tetor.

“Mavraj ka një problem me krahun dhe do të operohet këtë javë. Më ka kërkuar pushim. Ky është problemi dhe shpresoj që ta kemi gati për në nëntor. Sa i përket Sadikut, kishte një problem familjar dhe prandaj është lënë jashtë. Kështu i kemi dhënë hapësirë edhe lojtarëve të rinjë si Selahi dhe Seferi, që janë për herë të parë në listë. Me Xhakën kemi folur dhe jemi sqaruar, unë doja që t’i jepja më shumë kohë të rinjëve, dua t’i njoh më mirë

Turqia ka grumbulluar 4 portierë, edhe ne aq sa ata. Nuk ekziston problem i veçantë për Berishën. Ne i kemi portierët në nivel shumë të lartë dhe unë kam shumë problem për të vendosur titullarin. Shumë e rëndësishme që lojtarë të kenë minuta, por duhet marrë parasysh edhe qendrimi i tyre te Kombëtarja. Përshembull Dërmaku nuk luan te Parma, por te Kombëtarja tregon vendosmëri dhe gjeti golin. Në Turqi do të shkojmë për të bërë lojën tonë për t’i vënë në vështirësi dhe për të marrë një rezultat pozitiv.

Ne edhe barazimi na nxjerr jashtë. Kemi vetëm një shans, që të fitojmë me Turqinë. Kjo është mundësia e fundit që kemi për të kapur Europën. Gjithë ambienti është gati për të marrë fitoren. Më pëlqen të luaj futboll, jo vetëm të mbrohem. Nuk më pëlqen që të marrim vetëm rezultate cinike. Më pëlqen ky grup dhe dua të shoh të ardhmen e tij. Po përgatis një grup që të përballoj intesitetin e lartë.

Të humbësh ndeshjen direkte, atë ndeshje të parë në Shkodër, sigurisht që bëhet shumë herë më e vështirë. Dua ta veçoj, por ne nuk e kemi thënë ende fjalën e fundit. Për mua janë dy çështje që duhet të ecin me të njëjtin hap, kualifikimi dhe rinovimi i ekipit. Në Itali ka shumë shqiptarë që kanë lindur në trojet arbëreshe. Ne do të provojmë që të marrim të gjithë lojtarët që mundemi, pavarësisht sesa e vështirë është. Do të provojmë të marrim lojtarët që i shërbejnë kauzës shqiptare.

Plani shkon përtej nëntorit. Kush më njeh e di se unë jam larguar vetë gjithmonë nga ekipet. Nuk jam shumë i lidhur me paratë dhe kontratat. Kampionati shqiptar është i ekuilibruar dhe kjo më pëlqen. E kam parë Trashin me vëmendje ndaj Teutës dhe ishte në nivelin e duhur”, ka thënë Reja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *