E Para në skanerin e Andrea Markos: Euforia rivali i vetëm i Vllaznisë, tolerimet të pashmangshme

Pas ndeshjes Lushnja-Apolonia në Grupn B që u luajt më 23 dhjetor 2018, zyrtarisht Kategoria e Parë ka qenë pushim, por realisht skuadrat e kanë shfrytëzuar këtë periudhë me përgatitje, merkato e ndeshje miqësore. Dhe ndeshjet e javës së 15-të do të nisin të shtunën, ku kalendari sjell takime interesante, edhe për faktin se janë katër javë nga faza e dytë e skuadrat do të kërkojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë.

Specialisti i futbollit, Andrea Marko, për SportEkspres.com deklaron se luftë më e fortë do të zhvillohet në Grupin B, pasi sipas tij renditja e skuadra do ta imponojë shumë rivalitetin. Duke e menduar Vllazninë në kreun e Grupit A, Marko kërkon që skuadrat të jenë të përgjegjshme, kryesisht në fazën e tretë. Ato që dalin nga objektivat mund të jenë më tolerante, sidomos me skuadrat që duan pikë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Andrea, Kategoria e Parë nis gjysmën e dytë të sezonit, si e përshkruani garën në tërësi nisur nga 14 ndeshjet e luajtura në gjysmën e parë?
-Edhe Kategoria e Parë është bërë një garë e fortë, pasi aty po luajnë skuadra të mëdha të futbollit shqiptar, madje që kanë dalë edhe kampione. Duke qenë Dinamo, Vllaznia, Elbasani, Besa, Apolonia, Bylis e Tomori, që kanë eksperiencë në Superiore, gara ka qenë e fortë dhe e bukur.

Në këtë periudhë pa aktivitet zyrtar, si mendoni se e kanë shfrytëzuar skuadrat me lëvizjet e tyre gjatë muajit janar?
-Duke përjashtuar Lushnjen, që u përgatit dy javë në Malin e Zi, skuadrat e tjera janë përgatitur në terrene shumë të vështira, madje edhe nën ndikimin e kushteve të rënduara të motit me reshje shiu e bore. Gjithsesi, të gjitha skuadrat kanë qenë aktive në përgatitjet e tyre, sipas mundësive.

Çfarë mundësi teknike krijohen për skuadrat në këtë minifazë gjatë muajit janar?
-Kjo minifazë përgatitore zhvillohet me llogari nga të gjitha skuadrat, nga kreu në fundin e renditjes. Përgatitjet janë zhvilluar edhe me ndeshje miqësore, që  u japin trajnerëve më shumë mundësi të njohjes së gjendjes. Faza e tretë është e vështirë, pasi aty llogaritë edhe “ngatërrohen”.

Nisur nga emrat e afruar në merkato, Bylis e Besa në Grupin B kanë bërë shumë përforcime. A do të jetë një duel mes tyre për vendin e parë në grup?
-Patjetër që mes Bylisit e Besës gara do të jetë shumë e fortë për vendin e parë në Grupin B. Mes tyre do të jetë luftë e hapur, por të dyja duhet të kenë kujdes nga faza e tretë. Kjo sepse tolerimet me këtë formulë janë të pashmangshme, kryesisht nga skuadrat që dalin nga objektivat.

Vllaznia në Grupin A duket pa shqetësime dhe nuk ka lëvizur shumë në merkato. A i ka kapacitetet që ta ruajë vendin e parë në grup?
-Me këtë situatë që ka skuadra e Vllaznisë në renditjen e Grupit A, unë e mendoj në Kategorinë Superiore. Në këtë gjysmë të dytë i duhet që ta menaxhojë me kujdes kreun e grupit, por edhe të mendojë për skuadrën që do t’i duhet për Superioren e sezonit të ardhshëm.

Formula e fazës së tretë luhet me pikë të përgjysmuara, a do të ketë tolerime nga skuadrat që mund të kenë dalë nga objektivat e tyre?
-E përmenda edhe më sipër këtë fakt. Është një formulë që nuk të nxjerr dot jashtë realitetit dhe kjo për skuadrat që nuk rrezikojnë zbritjen një kategori më poshtë, por edhe te grupi i skuadrave që nuk do të kenë mundësi të kapin objektivat e tyre për kreun.

Në të dy grupet, në krye dhe në fundin e renditjes, si i mendoni verdiketet e këtij kampionati?
-Nisur nga vështirësia që sjell faza e tretë me përgjysmimin e pikëve, them se Vllaznia duhet të luftojë euforinë që mos rrezikojë kreun. Në këtë grup, Vorën e shoh të rënë nga kategoria, ndërsa Grupi B do të ketë më shumë rivalitet dhe këtu do të vendosin më shumë ndeshjet direkte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *