E njëjta taktikë si ndaj Shqipërisë, Kosova mund ta luajë finalen te stadiumi që ruhet me qen

Kosova do të përballet në transfertë ndaj Maqedonisë së Veriut, në finalen e parë të Ligës së Kombeve. Nëse dardanët do të fitojnë këtë duel, më pas do të kenë edhe ndeshjen e fundit për t’u kualifikuar në grupet e Europianit.

Por ku do të luhet përballja me Maqedoninë e Veriut? Aktualisht thuhet për Shkupin, në stadiumin më modern. Megjithatë nuk përjashtohet mundësi që dardanët të përfundojnë në Strumicë, ashtu si edhe Shqipëria. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Federatës Maqedonase të Futbollit, Faton Zylbehari, në intervistën e dhënë për “Gazeta Olle”.

Arsyetimi është po i njëjti, për shkak të sigurisë. “Shkupi është vendi adekuat dhe stadiumi që i plotëson kushtet për ndeshje të këtij niveli. Por, e gjitha varet nga UEFA nëse do ta vlerësojë se ndeshja mund të jetë e rrezikut të lartë.

Praktika e ndeshjes me Shqipërinë flet edhe për Strumicën. Tani ne vetëm mund të supozojmë. Deri më tani, e gjitha kjo është jo zyrtare”, tha Zylbehari, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga UEFA. Stadiumi në Strumicë është zgjidha ideale e Maqedonisë së Veriut për të evituar tifozët e shumtë shqiptarë, por njëkohësisht kushtet e stadiumit lënë pak për të dëshiruar, pasi në periudhën kur luajti Shqipëria, ruhej me qen. /Sport Ekspres/