E mendonit apo jo? Kulmi i paradoksit me futbollin, Bundesliga e përmbys ndeshjen me COVID dhe zbret sot

Në një botë normale sot me shumë mundësi do të kishim mësuar verdiktet e kampionateve elitare në botë, por në futboll vjen kulmi i paradoksit, pasi tani është momenti kur do të rinisë sërish. Muajt e fundit nuk kanë qenë aspak të zakonshëm dhe e kanë kthyer përmbys gjithë imazhin që ne kemi pasur për jetën deri tani, e këtu nuk bën përjashtim as futbolli. Pandemia Covid-19 gunjëzoi pothuajse gjithë globin dhe atëherë kur dukej se e kishte fituar ndeshjen e saj me futbollin, Bundesliga vjen më e fortë se kurrë dhe përmbys gjithçka.

E mendonit apo jo një gjë të tillë? Kampionati gjerman zbret sot në fushë për të çuar deri në fund atë që Koronavirusi e ndërpreu këtu e dy muaj më parë. Ndoshta me shumë ndryshime e pa tifozë në stadium, por sërish do të jetë aty për të mos u dorëzuar përpara pandemisë e për t’u dhuruar sërish emocione njerëzve në shtëpitë e tyre.

Plot 6 takime do të luhen ditën e sotme, ku 5 do të zhvillohen në orën 15:30 dhe një tjetër në 18:30, duke ia rezervuar këtë pasdite vetëm Bundesligës. Madje rikthimi vjen me një super derbi si ai mes Borusias së Dortmundit dhe Shalkes, dy klube me traditë në Gjermani që gjithnjë dinë si t’i kënaqin tifozët e tyre./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *