E mbyll Nejmar, Brazili më në fund çlirohet!

BRAZIL – KOSTA RIKA       2-0

Shënues: Kutinjo 90’+1, Nejmar 90’+7

90’+7 NEJMAR GOL! Edhe ylli i Brazilit çlirohet. I vetëm në zonë, Kosta Rika e gjitha në sulm, Nejmar nuk mund të gabonte!

90’+1 GOOOOOL BRAZILI!!! Nejmar? Jo, heroi quhet Kutinjo, pikë! Ashtu si në ndeshjen e parë, sërish ylli i Barcelonës e nderon Brazilin, me një gjuajtje të zgjuar, në qendër të zonës!

86′ Tenton edhe Kasemiro nga distanca, pret Navas. Brazili nuk ka më asnjë zgjidhje kundër bunkerit kosta-rikan.

78′ PENALLTI PËR BRAZILIN! Nejmar ndalet me faull në zonë, arbitri tregon pikën e bardhë, por VAR thotë JO, NEJMAR KA SIMULUAR! E PABESUESHME! Ishte simulim i pastër!

72′ NEJMAR, SËRISH JASHTË! Super rast, ylli i Brazilit rrëmbeu një top jashtë zone dhe gjuajti direkt, me topin që përfundoi jashtë për pak centimentra!

68′ Firmino në fushë, del Paulinjo. Brazil totalisht sulmues tani…

58′ KUTINJO, PRET NAVAS! Tani Brazili po dominon totalisht dhe sërish Navas shmang golin, duke pritur gjuajtjen e fortë të Kutinjos nga distanca.

56′ SUPER RAST NEJMAR! Paulinjo jep një pasim perfekt në qendër të zonës, Nejmar gjuan fort dhe Navas devijon me instikt në këndore!

49′ E PABESUESHME! Gabriel Zhezus godet traversën, pas një krosi të bukur në zonë, ndërsa më pas nga distanca tenton Kutinjo dhe mbrojtja devijon jashtë. Dy raste spektakolare!

48′ Rrëmujë në zonën e Kosta Rikës, mbrojtja dhe Navas largojnë si munden, sërish kros në zonë dhe Navas mbërthen topin, duke u përplasur me Nejmarin.

NIS PJESA E DYTË. Del Uillian, futet Douglas Kosta. Më në fund Tite bën një ndryshim që kërkohej që javën e shkuar.

PJESA E PARË – Pritej Brazil ndryshe, në krahasim me ndeshjen kundër Zvicrës, por duket e njëjta gjë, në mos më keq. Kosta Rika është mbrojtur shumë mirë, pa u sforcuar dhe me pak faulle. Nejmar bën atë që di, finte pa fund dhe faulle pa vlerë të fituar, ndërsa Gabriel Zhezus është qartësisht një lojtar që nuk e bën dot sulmuesin që ka nevojë Brazili. Pak raste për shënim, asnjë rast vërtet i pastër, përveç një situate me Nejmar, ndërsa Kosta Rika në pak zbritje i shkoi shumë pranë golit në një rast. Nëse ky është Brazili, atëherë nuk është vetëm Argjentina në telashe, mes gjigantëve të Amerikës së Jugut. Gjithsesi, me emra si Firmino e Douglas Kosta në stol, Brazili ka shanse të bëjë ndryshime cilësore.

41′ Nuk ka hapësira Brazili, ndaj sërish Marselo tenton nga distanca. Gjuajtje e bukur, por pret Kejlor Navas.

31′ Sërish rrezik nv zonën kosta-rikane. Nejmar në zonë, shmanget bukur dhe jep një kros, por spastron mbrojtja. Po e rrit ritmin Brazili, por në zonë nuk kapika referimi.

29′ Tenton edhe Marselo, me një të majtë të fortë nga distanca, por diagonalja shkon jashtë. Nis të luajë futboll Brazili.

28′ NEJMAR HUMBET RAST IDEAL. Sulmuesi i shpëton pozicionit jashtë loje dhe merr një pasim të bukur, por në zonë nuk e ndalon si duhet topin dhe humbet një shans të artë, i vetëm me portierin kosta-rikan.

27′ Gabriel Zhezus shënon, por i parregullt goli. Sulmuesi brazilian ishte në pozicion jashtë loje kur u nis gjuajtja nga Marselo!

25′ Brazili nuk po bind, nisin fishkëllimat.

18′ Situatë identike: Goditje dënimi afër zone pas faullit ndaj Nejmarit, por këtë radhë krosi shkon te portieri kosta-rikan.

17′ Rinis avazi, fillojnë faullet ndaj Nejmarit. Goditje dënimi afër zone, por sërish mbrojtja kosta-rikane largon.

13′ RAST I SHKËLQYER PËR KOSTA RIKËN! Brazili mban topin, siç pritej, por rastin e parë të artë e ka Kosta Rika, sepse Gamboa shkon në fundore, kroson bukur dhe Borges godet fort, por jashtë. Kambana e parë e alarmit për Brazilin, Kosta Rika është ekip solid.

9′ Uillian fiton një faull në një pozicion mjaft të rrezikshëm për portën e Kosta Rikës. Gjithsesi, krosi i Nejmarit nuk gjen asnjë brazilian në zonë.

3′ Vjen rreziku i parë nga Brazili. Kutinjo rrëmben një top jashtë zone, gjuan fort, por mbi traversë.

1′ NIS NDESHJA

Pas zhgënjimit në ndeshjen hapëse ndaj Zvicrës, Brazili përballet me Kosta Rikën dhe është një ndeshje që nuk duhet gabuar, për shumë arsye. Serbia është që tani e para në grup dhe nëse nuk fiton sot, Brazili do të futej në një situatë shumë delikate, edhe pse barazimi nuk ia ul shanset për kualifikim.

Pa humbje prej 18 ndeshjesh për Kupën e Botës, skuadra e drejtuar nga Tite kishte mungesë idesh në sulm javën e shkuar dhe Zvicra e bllokoi shumë mirë, por ndaj Kosta Rikës pritet të jetë paksa më e lehtë. Përballë është një rival që u mund në debutim nga Serbia, edhe pse nuk luajti keq, por tashmë është shumë më e vështirë dhe në 5 përballjet e fundit direkte Brazili ka fituar gjithmonë.

Për sot Brazili ndryshon vetëm në mbrojtje, ku Fagner e nis titullar, sepse mbrojtësi i djathtë Danilo është dëmtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *