E kërkonin Guardiolën në krye të pankinës, bashkëpunëtori i spanjollit ndez shpresat e Juventusit

Pep Guardiola është një nga trajnerët më të mirë në qarkullim dhe sukseset e arritura në krye të klubeve më të mëdha europiane flasin qartë mbi këtë fakt. Vera e shkuar e lidhi emrin e spanjollit me Juventusin që e kërkonte ta kishte në stolin e vetë për të sjellë një mentalitet të ri loje pas përfundimit të ciklit të Alegrit. Megjithatë Guardiola i qendroi besnik Manchester Cityt dhe bardhezinjtë firmosën me Mauricio Sarrin.

Por dera e “Zonjës së Vjetër” nuk do të jetë e mbyllur në të ardhmen për teknikun spanjoll, pasi një kalim në krye të pankinës së tyre mund të ndodhë. Shpresat i ndez edhe një nga bashkëpunuesit e Guardiolës, Manuel Estiarte, i cili ka zbuluar për “Il Secolo XIX” se Pep e dashuron Italinë dhe se dëshira e tij ishte të drejtonte në 4 ligat më të forta në Europë. Tre prej tyre i ka provuar tashmë në karrierën e tij, ndërsa Serie A mbetet e vetmja që pritet të shtohet në CV e tij. Kështu shanset që një ditë të shohim Guardiolën në kampionatin Italian janë ekzistente dhe ai që gëzohet nga një lajm i tillë është pikërisht Juventusi.

“Mund të them që Pep e do Italinë dhe ka ruajtur miqësi dhe dashuri, edhe nëse këtu ai përjetoi një nga momentet më të këqija të karrierës së tij, kur ai u akuzua për doping dhe u lirua vetëm pas shtatë vjetësh. Por ai e do Italinë dhe Serie A po rikuperohet nga momentet më pak të shkëlqyera që ka jetuar në kohët e fundit. Ideja e fillestare, kur Guardiola nisi karrierën si trajner, ishte të stërviste në katër ligat e mëdha: Spanjë, Gjermani, Angli dhe Itali. Unë nuk them se çfarë do të ndodhë, por një gjë është e sigurt: Pep nuk do të stërvisë shumë më gjatë, ai nuk do të bëjë si Ferguson e të rrijë në pankinë deri në moshën 70 vjeç”, ka deklaruar Estiarte./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *