“E kemi provuar vetë me 10 pikë diferencë”, Starova paralajmëron Tiranën: Të fitojë! Pastaj të dridhen këmbët nga emocioni

Nga Klaudio Ndreca

Tirana rikthehet me futbollin e luajtur dhe vazhdimin e Superiores pas pandemisë në një përballje ndaj Bylisit. Pra e thënë ndryshe, duke ngjitur menjëherë maloren. Në Ballsh nuk ka fituar askush tjetër përveç Skënderbeut, në një përmbysje të çmendur 2-3 dhe emocione që nuk e kanë një të dytë.

Aktualisht bardheblutë janë 9 pikë larg Kukësit të vendit të dytë dhe me një ndeshje direkte të mbetur, ku nëse do të ketë një hap të gabuar, atëherë do të ketë një rihapje të kampionatit. I ftuar në emisionin “Pressing” në “Abc News”, Sulejman Starova e ka paralajmëruar Tiranën se duhet të fitojë me patjetër në këtë transfertë.

“E vërtetë që janë 9 pikë larg, por nëse shohim statistikat nuk kanë të bëjnë edhe shumë me realitetin. Tirana është e shkëputur në shifra, por jo edhe shumë në lojë. Shumë ndeshje i ka fituar në minutën e fundit. Çfarë dua të them me këtë? Nëse fiton në këtë transfertë, atëherë do kthehet edhe me frikshëm edhe në aspektin psikologjik. Se pandemia i ka dëmtuar ata më tepër, se kishin shumë eufori nga fitoret. Në të kundërt pastaj, ne kemi qenë edhe vetë dhe e kemi provuar me 10 pikë diferencë, nis emocioni dhe të dridhen këmbët pastaj”, ka thënë Starova. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *