E ka kthyer në një nga më të mirët, Klopp tregon takimin e parë me Mane: Kur e pashë si rreper nuk kisha kohë për të

Sadio Mane është kthyer në një nga futbollistët më të mirë në botë për momentin, duke qenë një pikë kyçe në suksesin e Liverpool-it. Një meritë kryesore në shpërthimin e tij në arenën europiane, përveç punës së palodhur dhe aftësive të tij, e ka edhe trajneri gjerman Klopp. Në një dokumentar të quajtur “Prodhuar në Senegal”, i krijuar për sulmuesin Mane, tekniku i “të kuqve” ka dhënë një intervistë duke folur ashtu siç ai di, pa dorashka për lojtarin afrikan. Përpos vlerësimit të madh Mane, Klopp ka treguar edhe një episod të veçantë, që daton me momentin e parë kur janë takuar së bashku në Dortmund. Por duke parë nga mënyra e të veshurit, trajneri gjerman tregon se mendimi i parë që i shkoi ndërmend ishte se nuk kishte kohë të merrej me të.

“Është i gjithi si lojtar që e bën atë kaq të veçantë. Ai është rezistent, i shpejtë, teknikisht i mirë dhe luan me të dyja këmbët e tij. Mane bëri sakrifica të mëdha për të qenë atje ku është tani dhe tashmë është diçka shumë, shumë e veçantë. Herën e parë që e takova ishte në Dortmund. Ai ishte një djalë shumë i ri. Qendronte i ulur dhe kishte vënë një kapele bejsbolli të drejtuar nga ana ku kishte shiritin bjond në flokë, të cilin ai ka ende. Dukej si rreper. Mendova: Nuk kam kohë për të. Zakonisht kam parandjenja të mira për njerëzit por me Mane gabova”, ka thënë Jurgen Klopp./Sport Ekspres/