E hëna sjell firmat e para në Berat

Pas miqësores së parë që zhvilluan ditën e premte ndaj Apolonisë në shtëpi, drejtuesit e Tomorit kanë vendosur që të lënë pushim skuadrën në fundjavë, për të rifilluar sërish përgatitjet sot. Drejtuesit më të lartë të klubit kanë bërë të ditur për SportEkspres se duke nisur nga sot të gjithë futbollistët do të nisin procedurën e nënshkrimit të kontratave, çka do të thotë se drejtuesit nuk kërkojnë që të humbasin kohë në këtë drejtim.

Përkundrazi, duke fituar kohë, kërkojnë që të administrojnë sa më mirë dhe më shpejt grupin e futbollistëve që do të përfaqësojnë Tomorin në kampionatin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, skuadra duhet që të jetë gati edhe për pjesën më të rëndësishme të zhvillimit të fazës përgatitore, pasi tekniku beratas Gersi Arbëri ka bërë gjithashtu të ditur se skuadra do të shpërngulet gjatë fazës nga Berati në drejtim të një qyteti bregdetar dhe parashikohet se do të jetë një periudhë dy-javore që beratasit do ta shfrytëzojnë në dobi të përgatitjeve.

Për pasojë, java në vazhdim do të jetë shumë intensive si për nënshkrimin e kontratave, ashtu edhe për të përfunduar fazën e seleksionimit të futbollistëve të ardhur në provë gjatë kësaj periudhe.

ÇAÇO – Për kapitenin e njohur beratas Ervis Çaço miqësorja e zhvilluar me Apoloninë, është vlerësuar si një hap pozitiv më së shumti për mënyrën se si është duke u integruar elementi i ri dhe me perspektivë vendas.

“Nga sa kam konstatuar në miqësoren me Apoloninë, më duhet të them se angazhimi i futbollistëve të rinj ka qënë maksimal dhe kjo me siguri që është një shenjë pozitive dhe shpresdhënëse se në kampionatin e ardhshëm në skuadrën tonë do të evidentohen të tjerë elementë të rinj dhe me perspektivë. Këtë siguri e jep jo vetëm filozofia e punës dhe strategjia që ndjek tekniku ynë Arbëri, por edhe se duke nisur nga unë si kapiten dhe shokët e tjerë me eksperiencë, mbështetja dhe përkujdesja për futbollistët e rinj do të jetë e vazhdueshme dhe shumë motivuese”, ka përfunduar kapiteni i Tomorit, Ervis Çaço.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *