E gjithë Korça në ankth për Skënderbeun

0

 

 

Zhvillimet e fundit kanë bërë që qyteti juglindor dhe në veçanti tifozët të jenë të shqetësuar për fatin e skuadrës. Të gjithë shpresojnë që të mos ketë dënim

 

Leonard Trebicka

 

Në mënyrë të papritur situata sportive në Korçë morri një rrjedhë tjetër të padëshiruar. Pas festës së titullit të 6-të radhazi, gjërat u përmbysën nga një hetim i UEFA-s në lidhje me disa ndeshje të Skënderbeut gjatë edicionit të fundit, ku përfshihet një ndeshjen e Ligës së Europës me Sportingun e Lisbonës, si dhe disa ndeshje të Superligës, siç janë ato me Vllazninë, Teutën, Partizanin dhe Tiranën. Presidenti Ardjan Takaj ishte në zyrat e UEFA-s të mërkurën dhe do të jetë sërish javën e ardhshme, pasi ende nuk kemi një vendim nga ana e organizmit më të lartë evropian të futbollit. Drejtuesit e klubit korçar kanë hedhur gjithçka poshtë dhe do të mbrohen ligjërisht në këtë çështje, që e cënon shumë imazhin e Skënderbeut. Klubi kampion reagoi të mërkurën me një deklaratë për shtyp, ndërkohë që drejtuesit e Skënderbeut po punojnë me avokatët më të mirë për të mbrojtur dinjitetin e tyre.

ANKTHI – Kjo çështje shumë e rëndësishme do të marrë disa ditë kohë deri në vendimin zyrtar të UEFA-s dhe pritja duket se do t’i “torturojë” jo pak të gjithë sportdashësit korçarë dhe në veçanti tifozët më fanatikë të Skënderbeut. Hetimi i UEFA-s është çështja e ditës në qytetin juglindor, ku duhet pranuar se qëndron frika e një dënimi të mundshëm të skuadrës. Ka edhe nga ata që janë optimistë se asgjë nuk do të ndodhë dhe se Skënderbeu do të ecë përpara, por ankthi është i pashmangshëm. Pyetja që i shqetëson të gjithë është: Çfarë do të ndodhë me skuadrën, nëse përjashtohet nga kompeticionet europiane? Në Korçë janë mësuar me një skuadër kompetitive dhe me tituj kampionë, ndaj dhe nuk do të dëshironin kurrë që gjërat të precipitonin në këtë mënyrë. Megjithatë, e vetmja gjë që mbetet në këto ditë është pritja dhe të gjithë në qytetin juglindor luten që Skënderbeut të mos i ndodhë asgjë. Në fakt, ka a pasur shpesh zëra apo akuza për trukim ndeshjesh dhe gjithçka ka rezultuar si thashetheme, por këtë radhë nuk duket e njëjta situatë. Ajo që i ka trembur tifozët e Skënderbeut është pikërisht thirrja e presidentit Ardjan Takaj në një seancë dëgjimore në zyrat e UEFA-s. Sidoqoftë, klubi korçar do ta mbrojë me forcë punën dhe ndershmërinë, me të cilën ka arritur suksesin e fundit. Dje nuk ka pasur deklarata nga drejtuesit e klubit kuqebardhë, të cilët po merren me mbrojtjen e tyre ligjore në gjithë këtë histori, që ka trazuar ditët e fundit qytetin e Korçës.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here