E gjitha për një foto të rreme në “Snapchat”, arsyeja se përse PSG-ja u tall me Halandin

PSG arriti të priste biletën për në fazën tjetër të Champios League pas fitores 2-0 në Paris. Ndeshja e parë përfundoi me shifrat 2-1 për gjermanët dhe Haland ishte kryefjala e asaj përballjeje, ku la në hije yjet kundërshtarë të ekipit francez dhe tregoi aftësitë e tij në fushën e lojës.

Por pas kualifikimit lojtarët e PSG nisën të talleshin me talentin norvegjez, teksa të gjithë u ulën në tapetin e blertë dhe imituan mënyrën origjinale të Haland për festimin e golave, atë të meditimit. E madje nuk u ndalën me aq, pasi në një video live në rrjetet sociale gjatë kohës kur festa ishte zhvendosur në dhomën e zhveshjes, Mbape së bashku me disa lojtarë të tjerë vijojnë sërish të tallën me Haland.

Një zgjedhje kjo që ngriti shumë pikëpyetje mbi arsyen që dërgoi në këtë veprim, ndërsa nuk munguan komentet që e quanin këtë sjellje të pamatur. Por me sa duket futbollistët e PSG-së kanë pasur një motiv përse kanë bërë Haland prenë e tyre atë mbrëmje. Një foto që ylli norvegjez kishte shpërndarë në profilin e tij në “Snapchat” një natë më parë, ku shkruhej: “Qyteti im, jo i juaji” ishte gjithë arsyeja e sjelljes së parisienëve. Megjithatë bëhet e ditur se kjo foto ishte një montazh, ndërsa vetë Haland dhe Borusia e Dortmundit nuk kanë folur për këtë temë. Një “hakmarrje” e panevojshme nga ana e PSG-së për një foto që sulmuesi norvegjez nuk e ka shpërndarë vërtetë./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *