E FUNDIT/ “Po presim bilbilin nga Facebook”, Armand Duka për harresën nga shteti: Le ta thotë më mirë, e mbyllim si në Francë

Nga Klaudio Ndreca

Futbolli në Shqipëri vazhdon të jetë i bllokuar për shkakun e pandemisë që ka përfshirë të gjithë Europën. FSHF e ka bërë planin për të vazhduar kampionatet, pra jo vetëm Superioren, ndërsa u planifikua edhe stërvitja për të nisur në ditët e para të muajit maj. Por në fakt ende nuk ka ardhur një përgjigje nga ana e Qeverisë për të dhënë dritën jeshile për skuadrat, duke e shtyrë edhe më tepër afatin. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qenë i ftuar në një lidhje “Skype” me Blendi Fevziun në emisionin “Opinion” duke thënë se reagimet e Qeverisë i merr vetëm nga Facebook dhe mediat, pasi nuk ka asnjë shkresë zyrtare.

“Shumë shtete kanë nisur që të bashkëjetojnë me Kovidin dhe biznese të ndryshme kanë nisur të mendojnë sesi të ndërtojnë banderola dhe të prodhojnë në mënyrë artificiale zërin e tifozëve. Por ajo që ka rëndësi njëherë është që të futen klubet në stadium për të luajtur. Funksionimi në këtë vend zyrtarisht është i vështirë dhe mua më vjen keq që ne detyrohemi të marrim lajmet nga “Facebook”, gazeta dhe emisione, pasi nuk kemi një protokoll zyrtar. Ne jemi detyruar të komunikojmë me Qeverinë nëpër media, pasi nuk na përgjigjen në mënyrë zyrtare.

Futbolli nuk është njëlloj si dyqani, që do të hapet në ditën e hënë dhe të bëjmë gati çelsat. Lojtarët duhet të stërviten njëherë dhe unë nuk mendoj se është më e rrezikshme fusha stërvitore me 10.000 metra katrorë për 10 futbollistë se çdo aktivitet tjetër që është hapur tani. Duhet të nisim që të stërvitemi me grupe, pastaj me ekip të plotë dhe pastaj për ndeshjet. Kjo kërkon përgjigje dhe Ministria e Shëndetësisë nuk mund të thotë që nuk e kemi prioritet. Ka shumë njerëz që mbajnë familjet e tyre që nuk mund t’i mbajnë me pagat e ndihmës së FSHF-së.

Sa merren me futbollin në Shqipëri? Mbi 30.000 njerëz nëse fut këtu edhe trajnerët, zyrtarët, arbitrat dhe të gjithë. Propozimi ynë i fundit ka qenë që në 2 maj të nisi stërvitja dhe në 20 maj të zhvillohet kampionati. Ose në fund të fundit, le të thuhet si Franca: “Nuk do të luhet futboll”. Se lojtarët po përgatiten ende nga shtëpia dhe po presin rënien e bilbilit nga Facebook-u. Shumë vende të Europës e kanë të qartë se çfarë do të bëhet me futbollin, nëse do të presin skuadrat për të luajtur apo e kanë mbyllur, vetëm këtu jo”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/