E fundit ishte Gjermania/ Braçe del huq: Po më thoni një që kërkon ndihmë nga shteti! Ore ku i çuan lekët klubet?

Erjon Braçe ka shpërthyer sërish te “E diela Proces” për sa i përket çështjes së ndihmesës së munguar nga shteti sa i përket futbollit shqiptar. Ashtu siç edhe pritej, zëvendës kryeministri shprehet se futbolli ynë nuk meriton asnjë lekë për këtë situatë që po kalohet.

Por ajo që të bën çudi është nisja e ashpër kur thuhet se asnjë Federatë në botë, madje duke u përsëritur, nuk kërkon ndihmë nga shteti i saj. E vërtet, pasi në Maqedoni, Kosovë dhe gjetkë, shteti ka ndërhyrë dhe ka ndihmuar pa shkuar puna deri në ngritjen e zërit të Federatës.

E megjithatë, vetëm në paraditen e sotme kemi shpërndarë lajmin se vetë zëvendës presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Rainer Koch, kërkoi ndihmë direkte nga qeveria për të shpëtuar 25 mijë akademitë dhe klubet amatore në këtë vend. Gjithashtu edhe 13 ekipe të tjera në Gjermani po rrezikojnë falimentimin dhe prej këtyre 4 janë nga Bundesliga. Por pavarësisht kësaj, Braçe jep një tjetër variant, duke thënë se nuk ka asnjë shtet, megjithëse Gjermania ishte rasti i fundit.

“Nuk e kam dëgjuar UEFA-n që të kërkojë ndihmë nga Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane që të mbulojë shpenzimin e saj. UEFA nuk ka kërkuar nga qeveritë respektive që të ndihmojnë. Nga ana tjetër nuk kam asnjë Federatë Futbolli, asnjë, asnjë po them, që t’i kërkojë qeverisë në shtetin përkatës që të ndihmojë futbollin. Vetëm te ne.

Ndihma bëhet kur je transparent. A dini ju ndonjë rast kur bileta shkon më tepër se 2 mijë lekë? E drejta televizive është shitur për katër vjet, ndërsa Superiorja nuk ka sponsor. Edhe Kosova ka sponsor për kampionatin e saj. Këto janë gënjeshtra dhe fjalë të rreme që u prek futbolli shqiptar. Ja ku jemi në ditën e qametit dhe të gjitha të drejtat dalin në dritë. Futbolli shqiptar nuk ka ekonomi. Ore ku i dërguan njëherë lekët këto klubet që kanë arkëtuar miliona euro në 3-4 vitet e fundit dhe që sot nuk paguajnë rrogat. Ore ku i çuan lekët këta”, thotë i çuditur Braçe. /Sport Ekspres/