E FUNDIT/ “Hapen të gjitha, përveç futbollit dhe kulturës”! Edi Rama nuk lë shumë shpresë: Ne pak u hapëm dhe shikoni numrat

Nga Klaudio Ndreca

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një dalje publike dhe lidhje të drejtpërdrejtë për të komunikuar lëvizjet e fundit të shtetit tonë sa i përket pandemisë. Nga dita e hënë do të ketë një hapje të bareve, restoranteve dhe shumçka tjetër sa i përket bizneseve, por konfirmohet edhe njëherë se do të mbyllen aktivitetet sportive dhe ato kulturore.

Edhe njëherë tjetër Rama nuk tregohet shpresdhënës për futbollin dhe datën 3 qershor që është programuar për rifillimin e futbollit, pasi parashikon një rritje më të madhe të numrit të infektimeve në ditët në vazhdim. E nëse kjo do të bëhet realitet, atëherë do të kemi sërish një bllokim total për t’u kthyer në pikën zero.

“Kam dëgjuar shumë nga ju që thonë: “Po jo, shikoni se janë të gjitha vëndet e botës, kudo është hapur, vetëm Shqipëria është kështu e mbyllur”. Në fakt, edhe në Shqipëri do të jemi të hapur. Nga e hëna do të hapen të gjitha. Të gjitha përveç aktivitetit futbollistik, aktiviteteve kulturore dhe transportit publik.

Edhe për disa kohë, do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Se ju i shikoni numrat që po rriten. Ato nuk janë tregues i hapjeve të fundit që ne kemi bërë, por të para 14 ditëve. Pra ne pak hapje kemi bërë dhe shikoni numrat sesi lëvizën. Imagjinojeni se çfarë mund të bëhej ndryshe. Kufizimet e orarit do të vazhdojnë sepse dekurajojnë këto daljet e tepërta: “Hajde ulemi në bar, pimë ndonjë gjë dhe është ajri i freskët, këndshëm”. Nëse vazhdojmë me këto numra infektimesh që jemi sot, atëherë do të jetë një problem i madh për ne.

Ka edhe nga ata që thonë se Koronavirusi ishte lojë. Po çfarë loje ishte mo, çfarë loje. Ato shtete të tjera u hapën dhe po kthehen mbrapsht prapë”, ka thënë Rama. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *