E FUNDIT/ “Gati të bëhet edhe stadiumi për Apoloninë”, Ilir Shulku: Vetëm në Shqipëri ndodh, nëse pasnesër nisë stërvitja…

Nga Klaudio Ndreca

Ilir Shulku ka qenë i pranishëm në “Fan Zone”, atje ku ka folur për situatën aktuale të futbollit shqiptar. Një lajm i mirë vjen për klubet dhe futbollistët, teksa ditën e nesërme do të ketë një takim mes grupit të punës nga ana e FSHF-së dhe Qeverisë. Atje do të vendoset edhe për fatin e kampionateve tona, e këtu nuk po flasim vetëm për Superioren. Gjithashtu Shulku ka njoftuar se është në fazën e bisedime edhe rikonstruksioni i stadiumit të Apolonisë, për ta bërë modern dhe për të shtuar kapacitetin e ulëseve.

“Prioriteti ynë nuk është vetëm mbyllja e Superiores, por edhe e Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë. Ne nuk jemi si vendet e tjera që kanë rrezikshmëri të lartë nga Koronavirusi, numrat e infektimit janë të ulëta. Nga dita në ditë janë duke u lehtësuar masat e marra në Shqipëri.

Kjo do të jetë pika e diskutimit me Qeverinë nesër, por edhe aspekte të tjera. Pra në këtë takim që do të bëjmë në ditën e nesërme, do të diskutojmë edhe për pjesën e tamponit. Këtu do të flasim nëse shpenzimet do i mbuloj Ministria, do i mbulojmë ne, apo të dy palët.

Nuk është se kemi pasur ndonjë bisedë deri tani me ta. Por më kryesorja është që të kemi datat e stërvitjes dhe rifillimit të kampionatit. Nëse ata do të na thonë që pasnesër dilni në stërvitje, atëherë do u lëmë klubeve më shumë sesa dy javë për t’u stërvitur. Kjo pasi kemi 10 javë kampionat dhe 5 javë Kupë, do të jetë hapësira që të kenë më shumë kohë për t’u stërvitur skuadrat.

Jemi në fazë bisedimesh dhe do të bëhet edhe stadiumi i Apolonisë. Do të ketë shtim të kapacitetit dhe do të bëhet modern. Në fakt vetëm në Shqipëri kemi FSHF që ndërton fusha, se detyra e Federatave në vendet e tjera nuk është kjo. Por duke parë vështirësinë e gjendjes së klubeve, kemi investuar thuajse në gjithë Shqipërinë.

Stadiumi i Kamzës do të prishet? Nuk duhet të shkatërrojmë, por të ndërtojmë. Do të ishte komplet kundra ligjit, sepse nuk mund ta kthesh stadiumin në parkim apo farmaci, nuk ta lejon ligji këtë. Është një thashethem mediatik se dhe vetë kryetari i Bashkisë së Kamzës e ka mohuar”, ka thënë Shulku. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *