E FUNDIT/ Futbollisti shqiptar dërgon mesazh, ministria “jep zgjidhje”: Qeveria do paguajë lojtarët, por nëse iu shkarkon klubi

Futbolli shqiptar mori një goditje të fortë prej pandemisë Covid-19 sa i përket pjesës financiare. Ndërprerja e kampionatit bëri që klubet të kalonin në krizë e lojtarët të kishin vështirësi me rrogat, ndërsa qeveria shqiptare i përjashtoi kategorikisht nga paketa e ndihmës ekonomike. Në këto kushte ishte Federata Shqiptare e Futbollit ajo që mori përsipër të gjendej pranë aktorëve të futbollit, duke shëprndarë një paketë financiare për ta.

Ndërkohë një temë e tillë është rihapur edhe njëherë në emisionin “Zonë e Lirë” në “TV Klan”. E ftuar ishte Ministrja e Financave, Anila Denaj, së cilës iu shtrua një pyetje prej një futbollisti. “Çani, pyete pak ministren, po ne futbollistët pse nuk përfitojmë dhe nuk e meritojmë që të marrim një pagesë, pasi me atë pagë mbajmë familjen”, ishte një mesazh i ardhur gjatë emisionit nga një lojtar shqiptar. Ndërkohë përgjigja e Denaj nuk ishte shumë e qartë, teksa hedh një variant të ri për të përfituar nga paketa financiare e qeverisë shqiptare. Sipas saj nëse klubi i prish kontratën dhe e largon nga ekipi, atëherë përfiton asistencën nga shteti, megjithëse kjo është një rrugë absurde për t’u ndjekur nga ekipet, të cilat nuk e kanë aspak në interesin e tyre të shkurtojnë skuadrën

“E thashë edhe më parë se duhet që ta shohim rastin se ne nuk flasim me sektorë të caktuar, por për të gjithë. Marrëdhënia e lojtarëve është e drejtpërdrejtë me klubet dhe duhet të shohim më vonë se në çfarë situatë do të gjendemi. Pyete njëherë për rastin në fjalë që nuk e paguan klubi, e kanë larguar? Se nëse është këtu, që klubi nuk e ndihmon fare dhe del i papunë, atëherë do të jetë pjesë e asistencës tonë”, ka qenë përgjigja e Ministres së Financave, Anila Denaj. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/