E fundit/ Do të anullohet ndeshja e Kosovës për Europian, ja se kur do të mund të luajnë ndaj Maqedonisë së Veriut

Ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e vlefshme për gjysmë-finalet e Ligës së Kombeve nuk do të luhet. Takimi ishte parashikuar të zhvillohej më datë 26 mars, por me sa duket kërkesa e fqinjëve lindorë për të shtyrë përballjen me dardanët nuk ka rënë në vesh të shurdhët. Pas vendimit për t’u luajtur me dyer të mbyllura, Federata e Maqedonisë së Veriut bëri një kërkesë zyrtare në drejtim të UEFA-s, ku si pasojë e gjendjes së krijuar nga Koronavirusi ndeshja të luhej në një tjetër moment.

Kjo pasi disa prej lojtarëve maqedonas ndjekin karrierën e tyre në Itali, e cila ka marrë masa të rrepta dhe ndalon hyrje-daljet e qytetarëve. Gjithashtu i njëjti problem ka qenë prezent edhe për përfaqësuesen e Kosovës. Ndërkohë sipas gazetarit Arlind Sadiku, UEFA do të vendosë që të shtyjë këtë përballje, duke ecur paralel edhe me vendimin që pritet të marrë të martën e ardhshme për zhvillimin e kampionatit Europian në vitin 2021 dhe jo në qershor siç edhe ishte planifikuar. Koha kur dardanët mund të zbresin në fushë për të luajtur shanset e tyre sa i përket ëndrrës Europian mund të jetë qershori i ardhshëm.

“Sipas nje burimi brenda Uefas, ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosove dhe te gjitha ndeshjet tjera te play-offit te Liges se Kombeve, do te shtyhen per date te pacaktuar. Meqe Euro 2020 pritet te mbahet ne vitin 2021, koha me e pershtatshme ne kalendarin e Uefa-se, per zhvillimin e ketyre takimeve eshte qershori, pak dite pasi planifikohet te perfundojne kampionatet shteterore ne Evrope. Krejt kjo pritet te vendoset te marten e ardhshme ne nje mbledhje te jashtezakonshme ku do te marrin pjese kreret e Uefa-se dhe kryetaret e 55 Federateve te futbollit”, bën të ditur gazetari Arlind Sadiku./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *