E fundit/ Debuton në listën e Shqipërisë, Seferi: I befasuar për pritjen, Kombëtarja është në nivel

Një risi në listën e Kombëtares për ndeshjet e tetorit ishte edhe Taulant Seferi. Një lojtar që përveç kualiteteve të larta të tij, ka edhe një dashuri të madhe për origjinën. Maqedonia e Veriut do të bënte gjithçka për ta marrë në përfaqësuese, por pa ia arritur qëllimit. Në konferencën e sotme për shtyp, Seferi është shprehur se te grupi i lojtarëve ka shumë optimizëm.

“Jam shumë i befasuar nga pritja dhe po ndihem vërtet mirë. Te Kombëtarja ka shumë pozitivitet. Ftesën e kisha pritur edhe më herët, tani jam këtu dhe do të mundohem për të mirën, për ta nisur nga stërvitja. Këtu dy ndeshje janë shumë të rëndësishme dhe duhet të fokusohemi vetëm te fitorja. Kombëtarja është vërtet në nivelin e duhur. Unë tani nuk kam luajtur në krahë, por si sulmues qendre. Por gjithsesi nuk e kam shumë problem këtë pjesë, mund të luaj edhe në krahë”, ka thënë Seferi. /Sport Ekspres/