E bujshme/ Nuk është Verona, Ardian Ismajli pranë skuadrës së Serisë A dhe shok skuadre me Belotin

Nga Klaudio Ndreca

Ardian Ismajli është e ardhmja e Shqipërisë sa i përket pjesës së prapavijës në Kombëtare. Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit e ka marrë vendin si askush tjetër në vitet e fundit te kuqezinjtë, duke qenë me rëndësi jetike si në kohën e Panuçit dhe aktualisht me Rejën.

Gjithmonë në formacionet më të mira të javës në Kroaci, shpallej edhe Ardian Ismajli, duke konsoliduar vendin e tij te Hajduk, për të qenë një nga më të mirët. Por aventura në këtë skuadër është drejt mbylljes dhe duket pranë Serisë A.

Përpara disa ditësh u përfol largimi drejt Veronës, por tashmë në skenë del emri i Torinos, atje ku luajnë edhe lojtarë të njohur e me kualitete, teksa veçohet Beloti. Media prestigjoze italiane, “Tuttomercatoweb” shkruan se Torino është shumë pranë Ismajlit, ndërsa e ndajnë vetëm 1.5 milionë euro. Kjo pasi ekipi italian ofron 1.5 milionë euro, nga 3 në total që kërkon Hajduk i Splitit. Sipas të gjitha gjasave mund të vendoset një blerje me 2 milionë euro dhe me një përqindje të mbetur te Hajduk për shitjen e radhës, si rruga e mesme e artë. /Sport Ekspres/