E bujshme/ Një sulmues nga Anglia dhe që u zbulua gabimisht, gati për titullin në Superiore

Florent Bojaj është një nga fëmijët e rritur në emigrim dhe të larguar nga Kosova, për shkakun e luftës. Strehimin e gjeti në Angli, së bashku me prindërit e tij, atje ku zhvilloi edhe jetën me karrierën futbollistike.

Aktualisht sulmuesi 23-vjeçar që është përgatitur dhe formuar në Angli, luan me klubin e Etarit në Bullgari. Por për shkak të dëmtimeve të pësuara, ka pasur pak hapësira për të. Kontrata i përfundon në qershor të vitit 2020, por zhvillime të reja priten për të në merkaton e janarit.

“Sport Ekspres” raporton nga burimet e saj, se vetë futbollistin e josh ideja për të luajtur në Shqipëri, për një skuadër e cila pretendon titullin kampion. Kjo do të ishte zgjidhje për shumë skuadra shqiptare, pasi kërkohet shumë në këtë aspekt. Mbetet të shihet dhe pritet të ketë zhvillime të reja mbi këtë rast në ditët në vijim.

Por nga e ka nisur karrierën e tij Bojaj? Gjithçka lidhet me një kolegj në Angli, atje ku ky futbollist u përzgjodh disi “gabimisht” dhe mes fatit të madh. Një agjent kishte ardhur për të vëzhguar dikë tjetër, por mundësinë ia kaloi Bojajt. Bëhej fjalë për një mundësi te Cristal Palace, ndërsa me derën që ishte hapur, sulmuesi zgjodhi që të kalonte te Huddersfieldi. /Sport Ekspres/