E bujshme nga Franca, një emër i madh për stolin e Bajernit

Bajerni do të shpenzojë shumë në merkaton e verës. Brezi fitues po shkon drejt plakjes, disa janë larguar, të tjerë si Roben po luajnë ndeshjet e fundit dhe në Bavari nevojiten lojtarë të rinj kualitativë.

Presidenti Hënes paralajmëroi që klubi nuk do të kursehet në merkato dhe sinjalet e parë janë dhënë. Pavard dhe Hernandez janë goditjet e para, me francezin që është blerja më e shtrenjtë në historinë e rekordmenëve gjermanë.

Niko Kovaç është drejt largimit. Kroati nuk ka bindur dhe në stol mund të ulet një emër i madh. Siç raporton francezja “Footmercato”, Bajerni po mendon për Zhoze Murinjon! Portugezi e ka shprehur gjithmonë që kërkon një klub ambicioz, që nuk kursehet në merkato dhe që synon fitimin e trofeve.

“Special One” do ishte dakord të provonte këtë aventurë. Drejtuesit e klubit e monitorojnë prej kohësh dhe Salihamixhiç është gati të nisë kontaktet me Murinjon. Problem mbetet stili i tij ultra difensiv, që bie ndesh me filozofinë sulmuese të ekipit bavarez. Megjithatë, portugezi mbetet një mjeshtër në profesionin e tij dhe Bajerni mund t’i besojë stolin me qëllimin për t’u rikthyer te fitimi i Champions Ligës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *