E bujshme nga Anglia/ Manchester City shfrenon fantazinë, kërkon të marrë falas Lionel Mesin

Situata te Barcelona nuk është aspak e qetë dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme. Që nga përplasjet dhe grindjet në stërvitje mes lojtarëve për një finte, e për të vazhduar te “lufta” në distancë mes drejtorit Abidal dhe Lionel Mesit.

Abidal u shpreh se disa lojtarë nuk kanë luajtur mirë në kohën e Valverdes, ndërsa ylli argjetinas ka kërkuar që të shprehet saktësisht me emra dhe të mos baltos figurën e gjithë futbollistëve. Presidenti Bartomeu i ka takuar të dy protagonistët dhe gjakrat janë qetësuar disi. Por qartësisht Lionel Mesi ka shpërthyer për të vetmen arsye dhe po i soset durimi, ku pas çdo periudhe të keqe apo dështimi, merr barrën kryesore dhe të vetme duke u akuzuar nga figura të njohura sportive. Më e keqja se në rastin konkret thumbimet erdhën nga brenda shtëpisë dhe kjo rëndoi situatën.

Sipas asaj që raporton “The Manchester Evening News”, klubi i Pep Guardiolës po e vëzhgon me vëmendje. Nëse Mesi do të largohej nga Barcelona, atëherë do të kishte vetëm një destinacion, Manchester City. Sigurisht që trajneri Guardiola është faktori kryesor, por edhe shoqëria e ngushtë me Agueron, do të jepte shumë ndihmë për të bindur argjentinasin.

Më interesante është fakti se Lionel Mesi ka një marrëveshje të veçantë me katalanasit, ku mund të largohet si një transferim i lirë kur të dëshirojë nga Barcelona. Pra nëse do të kemi bisedime të avancuara dhe Manchester City bind Mesin, një prej lojtarëve më të mirë në të gjitha kohërat, mund të jepet si dhuratë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *