E bujshme/ Mund të jetë një “bingo” për Tiranën, Jahmir Hykës i thonë që të lërë Izraelin

Pas humbjes së fundit të Makabi Netanja me rezultatin 0-2 ndaj Makabi Haifa, ka pasur edhe zhvillime të reja në skuadrën humbëse ku luan edhe Jahmir Hyka. Futbollisti shqiptar nuk ka luajtur për asnjë minutë në këtë ndeshje dhe nuk e ka gjetur ende golin e parë, por sipas mediave në Izrael, lojtari shqiptar është njoftuar së bashku me Ben Turgman se duhet të gjejnë një skuadër të re në janar.

Kjo pasi nuk kanë më hapësira në klubin e Makabi Netanja dhe nuk janë më në projektet e ekipit për të ardhmen. Pavarësisht aftësive të mëdha që Hyka zotëron dhe e ka treguar gjithmonë në fushën e lojës, nuk po arrin që të gjejë veten në këtë sezon.

E teksa futbollisti në fjalë duhet të lërë skuadrën e tij, rikthimi në Shqipëri mbetet një hipotezë. Nëse ky do të jetë vendimi përfundimtar i Hykës, atëherë do të ishte një “bingo” për Tiranën që e pret krahëhapur me objektivin për të fituar titullin kampion për 100 vjetorin. /Sport Ekspres/