E bujshme/ CAS-i rrëzon kërkesën e Manchester City, rrezikojnë përjashtimin nga “Champions League”

Një histori e vjetër dhe që po pritet me shumë vëmendje për të parë zhvillimin e saj është ajo te Manchester City. “Qytetarët” po rrezikojnë shumë me shkeljen e rregullave të “Fair-Play” financiar. Gjithçka nisi në vitin 2014 atëherë kur klubi u gjobit me 49 milionë paundë.

Një shifër që u duk e tepërt për gjigandët anglezë dhe e ulën me marrëveshje dënimin në 17 milionë paundë. E gjitha kjo u konsiderua si qesharake dhe mashtrimi u bë me fryrjen e shpenzimeve e sponsorizimeve, për të mbuluar parregullsinë e tyre.

Gjithçka e bëri të ditur “Der Spiegel” dhe UEFA pasi analizoi këto prova, vendosi në marsin e vitit 2019 që të riniste hapjen e çështjes. Manchester City u ankua menjëherë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë dhe kërkoi mbylljen e hetimeve. Por CAS ka dhënë përgjigje negative dhe e quajti të papranueshme.

Kështu po vazhdon ende të hetohet klubi anglez, ndërsa “Der Spiegel” raporton se ndëshkimi mund të shkojë deri në një përjashtim nga pjesëmarrja në garat europiane si “Champions League”. /Sport Ekspres/