E ardhmja, kombëtarja dhe skuadra e zemrës: Të pathënat e Kristal Abazaj

Kristal Abazaj ka dhënë një intervistë për “Supersport”, ku ka folur për eksperiencën e muajve të fundit në kampionatin belg me skuadrën e Anderleht. Futbollisti 22-vjeçar ka folur mbi problemet që ka hasur në përshtatjen në Belgjikë dhe ka lënë të hapur mundësinë e një huazimi në merkaton e janarit.

ANËT POZITIV – “Dihej që nuk ka qenë një situatë shumë e mirë nga ana futbollistike, pasi nuk jam aktivizuar për një kohë relativisht të gjatë. Nuk besoj se ka qenë vetëm për shkakun tim, për faktin se kam qenë disi edhe i pafat në disa raste, për shkak të dëmtimeve që më kanë lënë disi pas. Do ta quaja një eksperiencë të bukur sepse kam mësuar shumë gjëra që nuk i dija dhe them se kam bërë para”.

FAKTORËT – “Nuk mund të them se jam penduar. Përkundrazi, jam shumë i lumtur sepse kam mësuar shumë gjëra dhe është një hap shumë i madh kalimi nga Luftëtari te Anderlehti, është diçka që nuk i ndodh kujtdo dhe nuk jemi mësuar ta shohim në kampionatin shqiptar. Klima është e ndryshme, ambientimi për ne nuk ka qenë shumë i thjeshtë, por tani e kam lënë gjithçka pas krahëve, pasi kam afro 6 muaj aty dhe besoj se ka qenë një eksperiencë e bukur dhe ambientimi ka shkuar mirë. Tani duhet të shohim”.

LËVIZJA E MUNDSHME – “Me ardhjen e trajnerit të ri do të vijoj të punoj fort, që të jem në syrin e atij, të vijoj të punoj fort dhe të më aktivizojë. Duhet të jap më të mirën gjatë fazës përgatitore në janar dhe të shpresojmë më pas. Mund të mendoj edhe për një ekip tjetër, për t’u larguar në formë huazimi, pasi siç dihet unë kam kontratë edhe 3 vite të tjera me Anderlehtin. Duhet të flas me drejtuesit, por duhet që t’ia lëmë kohës”.

DEBATI ME TRAJNERIN – “Shpesh herë trajnerët kanë të drejtë, por unë nuk është se thash diçka apo bëra ndonjë gabim. Unë thjeshtë thash mendimin tim kur u pyeta nëse jam ndihmuar apo jo. Unë nuk jam ndihmuar kurrë nga asnjë njeri nga ana sportive. Çdo gjë e kam arritur vetë, pasi kam luftuar dhe kam këmbëngulur për çdo gjë. Normalisht se çdo futbollist ka temperament dhe mund ta kem ekzagjeruar pak me atë çka kam thënë. Besoj se ka qenë një periudhë e keqe për Kombëtaren, por ne jemi Shqipëria dhe kam besim se do luftojmë dhe do e lëmë pas krahëve këtë moment”.

SUPERIORJA – “Situatën te Luftëtari e shikoj akoma dhe më të vështirë, pasi është larguar Rroca, edhe Shkurtaj besoj se do të largohet. Them se do jetë e vështirë që të përsëritet ajo që ka kaluar vitet e shkuara. Më pëlqen loja që bën Teuta, pasi më ngjason me lojën që bënte Luftëtari sezonin e kaluar, pasi ka lojtarë të rinj, me dëshirë për sukses dhe janë të bashkuar. Partizani ka bërë mirë deri diku, por edhe Skënderbeu dhe Kukësi janë gjithnjë aty dhe ka kohë. Distancat janë të vogla. E shoh më të egër luftën për mbijetesë”.

SKUADRA E ZEMRËS – “Unë jam tifoz i Tiranës, si unë ashtu dhe e gjithë familja ime. Kur kam qenë i vogël e ndiqja në stadium Tiranën. A mund të jem pjesë e bardhebluve në të ardhmen? Pse jo, ka tifozë të mrekullueshëm edhe është një klub shumë i madh dhe më pëlqen vërtetë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *