E ardhmja, kombëtarja dhe objektivat: rrëfehet “ukrainasi” Demiri

Besir Demiri la Maqedoninë për Shqipërinë, ndërkohë që po aktivohet rregullisht me Mariupol në Ukrainë. Mbrojtësi i majtë, ish-lojtar i Shkëndijës së Tetovës dhe Vardarit, ka folur së fundmi për eksperiencën e tij, objektivat dhe të ardhmen.

Në intervistën e dhënë për “SportEkspres.com”, ai thekson se kampionati ku luan tani është shumë më i fortë se ai maqedonas, ndërkohë që nuk bën asnjë polemikë për faktin se së fundmi trajneri Panuçi nuk e ka ftuar në kombëtare. Ai pret shansin e tij…

INTERVISTOI: FLORIAN ALLA                                                                            

Një vit në Ukrainë, si është bilanci personal dhe a ka rezultuar zgjedhja e duhur?
-Sa i përket aspektit ekipor, sezonin e kaluar kemi përmbushur kërkesat e kryesisë së klubit duke përfunduar në gjashtë vendet e para të Ukrainës, që të  dërgonte në play-off dhe pastaj siguruam kualifikimin për në Europa League pas shumë viteve. Në Europë kishim rezultate pozitive, ndërkohë që edhe këtë gjysmë sezoni e mbyllëm duke qenë afër “top 6”. Besoj se do të arrijmë synimet edhe për këtë sezon. Sa i përket aspektit personal, gjithmonë duke u bazuar në rezultat e ekipit, mendoj se ishte sezon pozitiv, si në kampionat, ashtu edhe në garat evropiane.  Të mos harrojmë asnjëherë edhe ftesën nga kombëtarja. Duke pasur parasysh këto gjëra, mendoj se ishte një sezon shume pozitiv.

Si është futbolli ballkanas me atë ukrainas, a keni hedhur një hap përpara duke shkuar në një ekip që nuk lufton për majat e renditjes?
-Po në kampionatin e Maqedonisë isha pjesë e 3 ekipeve më të mëdha dhe që gjithmonë luftonin për kreun e renditjes, ndërsa në Ukrainë jam pjesë e një ekipi që lufton për dalje në Europë. Sigurisht se mendoj se jam shumë hapa para, duke pasur parasysh nivelin dhe kundërshtarët me të cilët përballem.

– A keni pasur sinjale në merkato, apo do e mbyllni sezonin në Mariupol?
Kontrata ime është deri në qershor. Agjentët po merren me këtë çështje, besoj se ditët në vijim do të vendoset rreth së ardhmes sime.

Pse nuk po grumbulloheni nga Shqipëria, a keni pasur komunikim me stafin e kombëtares?
-Sa i përket kombëtares, është një pjesë shumë e shtrenjtë. Personalisht ndihem shumë krenar që jam pjesë e kombëtares, ndërsa sa i përket grumbullimit është që trajneri vendos dhe gjithmonë e respektoj maksimalisht çfarëdo vendimi që merret.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *