E ardhmja e Zidan, ja mundësitë

Ku do të shkojë Zinedin Zidan, pas largimit befasues nga Reali i Madridit? Trajneri francez dha dorëheqjen nga kampionët e Europës, pas triumfit të tretë rresht në Champions, ndërsa tani pikëpyetja e madhe është se ku do ta vijojë karrierën. Natyrisht, nuk përjashtohet që Zizu të marrë një pushim, ashtu si Guardiola kur iku nga Barcelona, por ndërkohë kanë dalë në tregun ndërkombëtar kuotat e basteve ku mund të përfundojë legjenda e Realit.

FRANCA

Marrja e drejtimit të kombëtares konsiderohet si lëvizja më e mundshme e Zidan, aq sa edhe kuotat janë më të ulëtat, për shkak se bastet më të shumta po shkojnë pikërisht aty. Natyrisht, mbetet për t’u parë si do shkojë Botërori rus, por nëse Deshamp nuk del kampion, me shumë gjasa do të lërë vendin e punës. Talenti i Francës është i padiskutueshëm, ndoshta një si Zidan mund të merrte maksimumin prej saj. Një emër tjetër për Gjelat është edhe Arsen Venger, por në ndryshim nga Zidan, ish-trajneri i Arsenalit ka vite që nuk fiton trofe me peshë.

ÇELSI

Antonio Konte është praktikisht i larguar, Çelsi po has vështirësi për të marrë Mauricio Sarrin dhe krejt papritur në skenë ka dalë edhe Zizu, aq sa kuotat e tij dhe të Sarrit tashmë janë barazuar. Çelsi do triumf në Europë, Roman Abramoviç ka para me thes, Anglia do të ishte shumë tunduese si sfidë për Zidan.

KATARI

Ka pasur thashetheme se Katari po mundohet ka joshë me miliona pa fund Zidanin që të marrë drejtimin e Kombëtares së Katarit, që do të organizojë Kupën e Botës 2022. Janë thjesht spekulime, duket e vështirë që Zidan të tundohet, sepse do të fëlliqej keqas me një kombëtare aq mediokre.

JUVENTUS

Në Itali Zidan ka fituar disa trofe me Juventusin, ku u bë një lider i padiskutueshëm, para kalimit te Reali. Maks Alegri ka arritur marrëveshjen me klubin për të vazhduar edhe një vit, por ndërkohë Juventusi dëshiron Champions League dhe me Alegrin duket mision i pamundur. Po sikur të ndodhë e pabesueshmja, Zidan të kthehet në Torino?

PSG

Klubi francez sapo ka punësuar gjermanin Tomas Tuhel, ndoshta duke mos e parashikuar që mund të dilte në treg Zidan. Kjo mundësi u dogj për këtë vit, por pas një viti, nëse Tuhel nuk bind, mund të tentohet Zidan, i cili ka gjasa që ta bëjë pushim për një sezon.

MAN UTD

Mançester Junajtid nuk fiton titull prej 5 vitesh dhe roli i vet në futbollin anglez është zbehur ndjeshëm, edhe pse klubi mbetet jashtëzakonisht i fuqishëm financiarisht. Zhoze Murinjo ka shpenzuar shumë, do të shpenzojë sërish shumë, por koha e tij po mbaron.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *