E ardhmja e Panuçit dhe humbja në Skoci, Duka mban qëndrim

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptarë të Futbollit, ka lëshuar një deklaratë pas humbjes me Skocinë. Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit bën thirrje që të mos trajtohet si një tragjedi kjo disfatë, ndërkohë që nga ana tjetër kërkon që t’i jepet kohë edhe trajnerit Kristian Panuçi.

Sa i takon kritikave, Duka thekson se janë normale. Gjithsesi ai këmbëngul që ato të mos bëhen për interesa jo sportive, si dhe kërkon që të ketë më shumë pozitivistet rreth kombëtares.

“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tre pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona, por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe defektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi.

Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër.

Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt.

Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik, por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë”, shkruan Duka në faqen e tij në “Facebook”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *