E ardhmja e Kristal Abazajt, ka zhvillime nga Kroacia

Kristal Abazaj e ka mbyllur aventurën e tij tek Osijeku në Kroaci. Sulmuesi anësor u huazua nga Anderlehti te kroatët në merkaton e dimrit dhe kjo eksperiencë mendohej t’i shërbente shumë ish-lojtarit të Luftëtarit. U mendua se gjërat do shkonin mirë në fakt.

Abazaj e nisi me gol, duke i dhënë tre pikët Osijekut në ndeshjen kundër Istra. Fillimisht luajti rregullisht si titullar, por më pas hapësirat për të u zvogëluan. Sulmuesi luajti 9 takime, 4 si titullar. Duhet thënë që një dëmtim e penalizoi Abazajn, i cili nuk mori minutat që do të donte.

Futbollisti 22-vjeçar ishte i huazuar tek Osijeku deri në muajin dhjetor, por sikurse bën me dije Abazaj për Sportekspres.com, kontrata e huazimit është ndërprerë. Tashmë sulmuesi pret të nisë një aventurë të re.

Kartoni i tij zotërohet nga Anderlehti, që duhet të marrë një vendim për të ardhmen e Abazajt. Lojtari i kombëtares shqiptare do të donte të shkonte diku ku të ketë hapësira dhe të ndihet i rëndësishëm.

Edhe për klubin belg është me interes diçka e tillë, pasi nëse shpërthen, të paktën do arrinte ta shiste Abazajn dhe të kthente pas një pjesë të investimit të bërë për ta blerë nga Skënderbeu. Ose pse jo ta rikthente në ekip për të dhënë kontributin e tij. Abazaj me siguri do të donte t’u tregonte se nuk gabuan me të kur e transferuan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *