E ardhmja e Gjimshitit, Atalanta ka një plan

Mbas dy huazimeve me Avelinon në Serinë B dhe Beneventon në Serinë A, Berat Gjimshiti u kthye tek Atalanta dhe është gati për të dhënë kontributin e tij në skuadër. 25-vjeçari shqiptar ka luajtur në tre ndeshjet e kampionatit si titullar, ndërsa në sfidën me Kaljarin, ai u zëvendësua si pasoje e ndryshimit taktik që bëri trajneri Gasperini.

Kontrata me Atalantën i skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe drejtuesit po mendojnë për rinovimin me qendërmbrojtësin. Gjimshiti, i cili përfiton 300 mijë euro në sezon, refuzoi disa oferta gjatë verës.

Ai dëshironte të qëndronte tek Atalanta dhe të luante në Europa League, por eliminimi i shpejtë nga kompeticioni europian, do të detyrojë klubin të bëjë disa largime, sepse skuadra është e mbipopulluar.

Megjithatë, ai gëzon besimin e Gasperinit dhe drejtuesit po monitorojnë paraqitjet e tij. Nëse vazhdon të luajë dhe të zhvillojë ndeshje të mira, drejtuesit do të ulen për të diskutuar mbi rinovimin e kontratës dhe diçka e tillë do të ndodhë përpara hapjes së merkatos së janarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *