Dy vite pritje dhe “emigrim”, vjen shansi i madh për Gjimshitin!

Eshtë stërvitur në heshtje, me valixhet “në duar”, duke pritur atë që mund të sjellë merkato, deri ditën e premte, por megjithatë shansin e madh për të ndryshuar të ardhmen e tij do ta ketë ditën e enjte në mbrëmje, ku në “Mappei Stadium” të Rexho Emilias, do të zbresë në fushë për të parën herë në një ndeshje zyrtare me Atalantën në Europa League…

Po flasim për Berat Gjimshitin, futbollistin e kombëtares së Shqipërisë dhe që u rikthye në Bergamo pas huazimit 1 vjeçar te skuadra e Beneventos, teksa përpara dy sezonesh ishte pjesë e ekipit të Avelinos, në Serinë B.

Sigurisht, kalimi te Atalanta në janarin e vitit 2016 u prit si hapi i madh, por gjërat nuk shkuan edhe aq mirë. Vetëm 3 ndeshje me bluzinjtë dhe më pas kalvari i huazimeve…

Sepse nuk ishte gati. Gati pritet të jetë të enjten, ndoshta për të treguar vlerat e tij. Sepse, mesazhi ka ardhur nga trajneri Gasperini, që tha se mbrojtësi kuqezi do të jetë titullar.

Sa i përket shqiptarit tjetër të Atalantës, Etrit Berisha, gjithashtu mund të zbresë në fushë, pasi “po punon shumë mirë”, sipas trajnerit. Një mundësi edhe për të për të shlyer disi atë paraqitje jo fort të mirë ndaj Sarajevos në turin e dytë kualifikues, pikërisht në sfidën e vajtjes në Rexho Emilia, ku humbi edhe vendin, për t’ia lënë Golinit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *