Dy rivalë të përjetshëm përulen para Maldinit: Rikthehet një flamur!

Rikthimi i Paolo Maldinit tek ekipi i Milanit ka lumturuar miliona tifozë kuqezi nëpër botë, por jo vetëm. Kapiteni i famshëm do të mbajë postin e drejtorit të zhvillimit strategjik të sektorit sportiv dhe urimet për detyrën e re, kanë vërshuar nga të gjitha anët.

Nuk mungojnë dhe urimet nga dy ish-kapitenët e mëdhenj të Juventusit dhe Interit. Aleks Del Piero dhe Havier Zaneti, dy kundërshtarët e qindra betejave, kanë komentuar rikthimin e Maldinit në klubin e jetës së tij.

Paolo Maldini është një flamur dhe simbol i Milanit dhe futbollit italian. Jam i lumtur që e rigjej në shtëpinë e tij: fat të mbarë, Paolo”, shkruan Aleks Del Piero, ish-kapiteni i Juventusit, në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Nuk mungon as urimi i argjentinasit, Havier Zaneti. Ish-kapiteni i Interit, aktualisht në postin e zëvendës-presidentit të pjesës zikaltër të Milanos, ka shkruar një letër ku shpreh lumturinë e tij për rikthimin e Maldinit.

Jam shumë i lumtur për Paolon, sepse është një person i shkëlqyer dhe një profesionist i madh. Një si ai do të bëjë mirë në futbollin botëror në përgjithësi. Kam shumë respekt për Paolon. Jemi ndeshur shumë herë si kundërshtarë dhe tani takohemi në role të tjera. Mbetet i njëjti vlerësim, respekt dhe konsideratë për të. Do të jem i lumtur ta përqafoj në derbin e ardhshëm, siç kemi bërë shumë herë në fushën e blertë. I uroj një fat të madh në aventurën e re.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *