Dy rikthime te Luftëtari, Shkurtaj i vë notë Mezanit

Vasil Shkurtaj është shënuesi më i mirë i Luftëtarit. Deri më tani në kampionat ka arritur të realizojë pesë herë, po aq sa Rexhinaldo i Kukësit. Sulmuesi vlonjat ka folur për formën që po kalon dhe për fitoren e fundit që arritën me Kastriotin.

“Ishte një fitore e mirë, u kënaqa që i dhashë tre pikët e ekipit. Me këtë fitore ndihem mirë. Nga tani e tutje do rregullohen gjërat. Sezonin që kaloi kisha probleme. Luajtja pjesën e dytë të sezonit dhe më pas u dëmtova. Këtë sezon ndihem mirë, kam pasur raste dhe po shënoj. Do përpiqem të shënoj sa më shumë deri në fund”, është shprehur për “RTSH Sport” Shkurtaj.

Ai tregon edhe se me Gentian Mezanin në krye kanë ndryshuar, ndërkohë që i ka vendosur trajnerit edhe një notë. “Trajneri e ri kërkon gjëra të tjera. E dimë çfarë kërkon ai dhe po dalin në fushë ato që mësojmë. Nota për Mezanin? Një nëntë do ia vija trajnerit”, deklaron sulmuesi i Luftëtarit.

Për ndeshjen e radhës me Laçin gjirokastritët do të kenë në dispozicion edhe Lejdi Liçajn, i cili mungoi kundër Kastriotit për shkak kartonësh. Gjithashtu edhe Albano Aleksi është rikuperuar dhe do të jetë trajneri Mezani ai që do të vendosë nëse mesfushori do të luajë nga minuta e parë apo do të nisë nga stoli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *