Dy pikat e forta të Kombëtares, në Spanjë krenohen me lidhjen shqiptare

Keidi Bare është rikthyer në Spanjë pas ndeshjeve të luajtura me Kombëtaren e Shqipërisë, për t’u bashkuar kështu me ekipin e Malagas. Në Spanjë ka gjetur edhe shqiptarin tjetër, Armando Sadikun, i cili u transferua nga Levante përpara pak kohësh.

Ndërkohë, klubi spanjoll duket se është mjaft krenar me dy shqiptarët që ka në përbërjen e vet, pasi ka shpërndarë një foto të dy lojtarëve në rrjetet sociale. Në foto shkruhet “lidhja shqiptare” me ngjyrat e flamurit tonë, ato kuqezi. Kujtojmë se mesfushori fierak ka bërë dy paraqitje mjaft pozitive me ekipin Kombëtar, por gjithashtu ka zhvilluar edhe ndeshje mjaft të mira me Malagan sezonin e shkuar, duke marrë vlerësime të mëdha edhe nga tifozët.

Ndërsa Sadiku ka debutuar që në ndeshjen e parë me spanjollët, ku u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. Gjithashtu karriera e sulmuesit elbasanas ka treguar se ky i fundit ka një nuhatje të mirë të golit, si në klubet ku ka luajtur ashtu edhe në Kombëtare./Sport Ekspres/