Dy “kafe me eks”, kështu Mina zgjoi… Kolumbinë!

Anton Cicani

Ditën e zyrtarizimit të tij te Barcelona, rrugët e Guaçene, qyteza e Kolumbisë, ku Xherri Mina ka lindur, ishte e pushtuar me njerëz… Ishte e ëma Marianela Gonzalez, ata që e panë të rritej, por edhe trajneri i tij i parë, që i bëri dhuratën më të madhe të mundshme: nga portieri e shndërroi në mbrojtës.

Nuk është historia e asaj bretkosës që u bë princ pas puthjes, por e futbollistit të momentit te Kolumbia, që me golat e tij ka arritur të kualifikohet në fazën e 1/16-ve të Botërorit në Rusi. Nuk dimë se çfarë ka ndodhur sot në Kolumbi pas golit të tij, por dimë që ai në histori ka hyrë gjithsesi, duke u bërë futbollisti i parë kolumbian që vesh fanellën blaugrana.

Gjurmët e tij kanë mbetur në sfidën ndaj Portugalisë, por edhe ndaj Senegalit. Kërcen, shënon dhe feston, ashtu, me kërcimin tipik të tij. E lehtë për dikë që i pëlqen të ecë më shumë zbathur se sa me këpucë… Motivi? Djaloshi beson shumë në Bibël dhe, jo më kot, prezantimi i tij në “Camp Nou” erdhi pikërisht zbathur… “Me rrënjët e këmbëve të tua do të shkelësh tokën që do të duash të pushtosh”, reciton një varg i librit të shenjtë.

Për momentin, në Spanjë, nuk ka mundur ende, për shkak të aktivizimit me pikatore. Sigurisht, e sigurt është që me kombëtaren po e bën diferencën.

Nga ndeshjet këmbëzbathur në Guaçene te roli protagonist në Rusi. Nga provat e shkuar keq me Deportivo Kali dhe Amerika te idhulli i një kombi. Sa rrugë për Xherri Mina, “el obelisco”, siç e thërrasin. Djaloshi që e nisi në portë, por që tashmë shkund rrjetat…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *