Dy gola për një minutë, Kosova U-19 befason Rusinë në kualifikueset e Europianit

Përfaqësesja e Kosovës U-19 ka dalë me një pikë nga transferta me bashkëmoshatarët e Rusisë, megjithëse këta të fundit shiheshin si më të favorizuar në letër. Ndeshja e zhvilluar mes tyre është mbyllur në shifrat 1-1 dhe është e vlefshme për kualifikueset e kampionatit Europian për 19-vjeçarët.

Dardanët e vegjël kaluan të parët në avantazh, duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 11 të takimit me anë të Aliut. Por epërsia e tyre nuk zgjatigjatë, pasi një minutë më vonë do të ishin vendasit që do të vendosnin baraspeshën me anë të një goli të realizuar nga futbollisti Shkolik. Kjo ishte ndeshja e parë për këto kualifikuese, ndërsa pjesë e këtij grupi janë edhe përfaqësueset e Polonisë dhe të Uellsit, me të cilët përfaqësuesja e Kosovës do të luajë përkatësisht në datat 16 dhe 19 nëntor./Sport Ekspres/