Dy gola në Kukës, Partizani “shigjeton” sulmuesin e Vllaznisë

Çarls Atsina pëlqehet nga “demat”. Merkatoja ka nisur dhe po studiohen profilet e lojtarëve. Kontrata me shkodranët, problem për lojtarin

“Nuk mund të vazhdohet më kështu me Çanin. Ekipi humbi (referuar ndeshjes me Flamurtarin) se nuk kemi një sulmues që ta shtyjë topin në rrjetë dhe ky është problem madhor. Duhet ta zgjidhim, në janar do të gjejmë një lojtar tjetër”, – shprehej Moxhi pas humbjes me vlonjatet. Situata është e qartë, të kuqtë duan të gjejnë një sulmues që të sigurojë gola dhe normalisht të mbulojë gropën e lënë bosh në këtë repart. Çani ka qenë dështimi më i madh i merkatos së verës. I afruar me epitetin e yllit, sulmuesi erdhi i dëmtuar, u fut i dëmtuar dhe në fund mbeti jashtë fushave, pasi gjendja e tij u rëndua. Sukaj ka pasur shumë oshilacione me formën dhe lëndimet, ndërsa Basrak dhe Xhixhiua kanë bërë gati valixhet që tani.

Emri i parë që është vëzhguar nga drejtuesit e kuq është sulmuesi i Vllaznisë Çarls Atsina. Ganezi i shkodranëve ka luajtur 5 ndeshje këtë sezon dhe ka shënuar 2 gola, të dy kundër Kukësit. Cilësitë e tij të mira, shpejtësia dhe teknika, kanë sjellë vëmendjen drejt sulmuesit të kuqebluve. 28-vjeçar shihet edhe si një zgjidhje e mirë, pasi e njeh kampionatin shqiptar dhe CV-ja e tij është e pranueshme për të qenë pjesë e kryeqytetasve.

DREJTUESIT – Në listën e merkatos së janarit kanë filluar të studiohen edhe emrat e parë. Ekskluziviteti i mbetet përsëri Drejtorit të Përgjithshëm, Luçiano Moxhi, por këtë herë italiani do të “asistohet” nga trajneri Sulejman Starova dhe Edmond Haxhija. Një tjetër emër që ka dalë sërish fuqishëm në skenë. Haxhija është edhe një bashkëpunëtor i vjetër i Starovës.

Emri i Atsinës është hedhur në diskutim dhe parimisht drejtuesit dhe tashmë trajneri Starova janë dakord për ta afruar me të kuqtë, të paktën këtë deklarojnë burime të ndryshme pranë klubit kryeqytetas për “Sport Ekspres”. Vështirësitë janë të mëdha, pasi lojtari është nën kontratë me kuqeblutë dhe vështirë që Vllaznia të heqë dorë nga një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës, duke parë edhe mangësitë që kanë në këtë repart. Atsina është edhe një lojtar polivalent, pasi mund të luajë si pykë, por edhe në të dy krahët e sulmit.

ATSINA – Ganezi ka firmosur një kontratë 1+1 në fillim të sezonit me shkodranët. 28-vjeçari ka mundësi të nënshkruajë parakontratë me të kuqtë që në dhjetor, por nuk është kjo zgjidhja që kërkojnë kryeqytetasit. Të kuqtë kanë nevojë emergjente për sulmues dhe mund të marrin Atsinën vetëm nëse ky i fundit prish kontratën me kuqeblutë. Ganezi mund të tundohet nga oferta e Partizanit që i ofron më shumë se sa fiton aktualisht te Vllaznia. Nëse nuk gjejnë një alternativë tjetër të pranueshme, mbase Partizani mund të sakrifikojë edhe duke paguar kartonin e futbollistit, por kjo është një praktikë që nuk ndiqet shumë ose bëhet shumë rrallë në kampionatin shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *