Dy divorce dhe një martesë

0

Gjergji Stefa

Divorci më i panevojshëm i këtij prag Shën Valentini ndodhi në Vlorë. Zeqiri dhe Flamurtari u ndanë përfundimisht. Realisht pa ndonjë arsye konkrete madhore, njësoj si ato çiftet që ndahen për mospërputhje karakteri. Secili në punë të vet, pa ndonjë keqardhje të madhe dhe ndoshta pa kokën pas.
Divorci i dytë i së shtunës ishte i beftë, i papritur dhe zhgënjyes. Cungu për pak sa nuk i tha hapur Vllaznisë, që boll më, më lodhe, me ty nuk vazhdohet. Nuk është e ndershme. Është njësoj si t’i kërkosh partnerit që “duhet të kishte lindur ndryshe”. Po Vllaznia, ajo është e njëjta që Cungu ka njohur një vit më parë, pa president, pa shumë para, por me karakter dhe e ndershme. Si i thonë kësaj fjale, pse ju fute kësaj historie, kur e dije si ishte?! Dhe çfarë bën? Ua thua në sy, në mes të sezonit, gjithë atyre djemve që mezi arritën të fitonin kundër Flamurtarit: Ju nuk bëni për mua! Mund ta kishte evituar, megjithatë divorc i sigurt në qershor. Thonë që Cungu llastohet, por dhe nëse është kështu, nuk është e bukur të luash me emocionet e një tifozerie, që e kishte konsideruar shpëtimtar.
Nëse thonë që ndonjëherë divorci është shpëtim, nuk ka gjë më të keqe se një martesë e bërë me shkuesi, kur palët nuk e dashurojnë njëri-tjetrin. Ca më keq, kur martesa është më së shumti një kontratë biznesi. Njësoj si në dramën “Propozimi” të Robert Redford dhe Demi Mur. Kurorëzimi mes Tiranës e Kukësit ende nuk është bërë, ndoshta bëhet të mërkurën në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Nëse Tirana kalon në gjysmëfinale, atëherë 15 shkurti nuk do jetë më dita e njerëzve “single”, por një dashuri e re do marrë jetë.
Divorci i parë edhe mund të evitohej, i dyti nuk është i bukur, por martesa e tretë nuk mori bekimin e askujt. Do Zoti divorcohen dhe këta për 4 ditë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here