Dy “dështimet spektakolare” të Superiores! Produktet e skaduara që hynë në Shqipëri, na i ambalazhuan si të jashtme

Nga Klaudio Ndreca

Produkte të skaduara që vijnë nga jashtë dhe futen në Shqipëri, duke u cilësuar si më të mirat në qarkullim. Këtë fenomen e kemi vuajtur prej kohësh në vendin tonë, ndërsa dëmin më të madh e ka shëndeti i qytetarëve tanë. Por e njëjta gjë ka ndodhur edhe në futbollin e Superiores, nëse i kthejmë pak sytë nga fillimi i këtij sezoni, duke dëmtuar “shëndetin e klubeve”.

Nëse shohim dy nga dështimet spektakolare në kampionatin shqiptar, ndalemi në këto emra: “Marantas dhe Lerda”. Dy trajnerët që erdhën nga Greqia dhe Italia, për të dhënë filozofinë e tyre në vendin tonë të vogël. Sigurisht që sa herë kemi trajnerë që vijnë nga jashtë, i japim më tepër atribute sesa duhet.

Përshembull rasti i Marantas ishte tipik i tillë, ku kohëzgjatja prej 2 muajsh si trajneri i një skuadre te Luftëtari, ishte më e gjata në gjithë karrierën e tij. Kjo e dëshmon qartë se me çfarë CV erdhi ky trajner. Ulërima dhe britma për të gjithë, madje në shumë raste duke u kapur edhe me arbitrat.

Të gjithë e kishin fajin se Luftëtari po humbiste, përveçse për të marrë përgjegjësinë mbi vete, që nuk e bënte asnjëherë. Madje edhe mbrojtësi Cerezo Hilgen që u largua nga Luftëtari asokohe do të shprehej: “Unë pyes veten, për sa kohë Marantas do të qendrojë te Luftëtari. Erdhi dhe bënte si Murinjo, duke harruar që po vinte nga kategoria e dytë greke. Nisi menjëherë me ulërimat ndaj meje, që në ditën e parë”, do të shprehej Hilgen.

Fakti është se me largimin e Marantas edhe Luftëtari do të merrte frymë. Një peng më vete do të ngelet se nëse ky trajner nuk do të mbërrinte në Shqipëri, atëherë bluzinjtë mund të kishin shpresë reale mbijetese.

Për të kaluar me rastin tjetër, Lerda. Duhet të kesh shumë guxim në zgjedhje për të vendosur një emër të tillë që të zëvendësojë Skënder Gegën, njeriun që e shpalli Partizanin kampion dhe ngriti në qiellin e shtatë tifozët.

Një tjetër trajner që preferonte të kapej me të gjithë, nga gazetarët e deri te grushtat me stafin e tij, si në rastin me ndihmësin Mehmetin që do të kishte. Por edhe më keq sesa Marantas që ndoshta mund të justifikohej me zgjedhje të pakëta, Lerda do të hiqte me ndërgjegje të plotë lojtarët më të mirë.

Kjo për të treguar se filozofia e tij është më e mira dhe se ndante ide brilante, ndryshe nga të tjerët. Sigurisht që në fund nuk mund të bëhej më tepër sesa “një vrimë” në ujë. Duke hedhur tutje modestinë, Lerda shprehej se po i mësonte rregullat e futbollit edhe trajnerëve shqiptarë.

Gjatë ndeshjes së Partizanit dhe Kukësit që u luajt në kryeqytet, do t’i shpjegonte mes ulërimave Duros që mbeti i shtangur dhe që nuk po kuptonte asgjë: “Unë ju them rregullat e futbollit në Europë. Topi nxirret jashtë vetëm kur lojtari goditet në kokë. Në të kundërt, e urdhëron vetëm arbitri”.

Kështu do të largohej edhe Lerda, mes shumë dështimeve të mëdha, ndërsa vetë në Itali nuk është bërë kurrë lajm nga mediat në asnjë moment ardhja apo largimi i Lerdës te Partizani. Kjo mjafton për të kuptuar se çfarë emri dhe respekti ka fituar në vendin fqinjë. Por në vendin tonë jemi mësuar me produktet e skaduara, megjithëse duke shpresuar se në të ardhmen nuk do të jenë të shumtë në numër. /Sport Ekspres/