“Dy birra në mbrëmje dhe debatet e mëngjesit, jeta normale do fillojë…kur të oshëtijnë stadiumet”

“Mirëmbrëma miq të Tring Sport 1, një mbrëmje e madhe e futbollit na pret”. Kjo nuk është një reklamë, por fjalitë dhe zëri që na mungon prej kohësh ta dëgjojmë për spektaklin e vërtetë, atë të “Champions League”.

Teksa jemi të izoluar dhe me durimin nuk i kemi aspak punët mirë, me ditët që kalojnë e kalojnë, të gjithëve na kalon e njëjta pyetje në mendje: “Kur do të fillojë jeta normale?”. Përgjigja? E thjeshtë, kur të oshëtijnë stadiumet sërish, si më parë, ndoshta edhe më fortë se më parë. Kjo pasi tifozët e gjithë botës do të festojnë për fitoren e madhe. Këtë herë jo të ekipit dhe të gjithë do të jenë të bashkuar, në të njëjtin zë, se ia dolën kundër betejës më të madhe.

Në këtë linjë mendimi është edhe komentatori që jeni mësuar ta dëgjoni në “Tring Sport”, Ervin Nikolla, që nëpërmjet një postimi të fundit tregon se gjithçka do të kthehet në normalitet, kur të trokiten ato birrat në mbrëmje dhe në ekran të shihen ndeshjet, ndërsa në mëngjes të ketë debate për futbollit. E pra, kjo është jeta jonë normale. /Sport Ekspres/

Reagimi i plotë

Do duhet kohe per te kapur serish ritmin e jetes… Dhe jeta lidhet ngushte me futbollin. Loja me e dashur ne bote nuk ka perjetuar ndalese te tille ne nivel global, as ne vitet e gjata te luftes, diku eshte luajtur, sepse minimalisht njerezit qe kane patur mundesi e kane gjetur nje copez shesh dhe nje top lecke per te bere dy gjuajtje per qejf te tyre, me ate pasionin qe gjunjezon friken… Po sot? Sot diskutohet “ne ajer” per rifillimin e mundshem. Une mendoj se jeta do te rifilloje normalisht vetem kur stadiumet te oshetijne perseri, deri ne ate moment mund te themi qe nuk kemi jetuar fare, si nje zbrazeti ne kohe, nje kujtim i fshire, nje moment amnezie totale. Nuk kam mundur te shoh me gjate se 10 minuta ritransmetime ndeshjesh, filloj t’i shoh dhe ndihem keq, me shtohet ankthi i pritjes… Mezi pres te shoh serish nje stadium plot, teksa oshetin, ne pritje te skuadrave qe zbresin ne fushe… Jetojme te gjithe per ato minuta magjie, per ethet dhe padurimin qe ai top te shkelmohet. Jetojme per ate cast mrekullie, kur topi shkund rrjeten… Futbolli eshte perditshmeria ime dhe e kolegeve te mi, futbolli eshte perditshmeria juaj, sepse ne fund te cdo dite, sido qe ajo te kete qene, secili e ka shijuar brofjen ne kembe pas golit te skuadres se zemres… Secili ka harruar te pakten per 90 minuta, cdo hall te perditshmerise. Futbolli i jep startin cdo dite normale, per te gjithe ne, qofte edhe me ato bisedat e perseritura te merkuren ne mengjes, ku temat rihapen dhe sterhollohen, sapo nje tjeter mik i shtohet tavolines… Me mungojne te gjitha keto… Kur futbolli te rifilloje, atehere do te rikthehet gjithcka ne normalitet, edhe dy birrat mbremjeve me miqte, edhe kafja e mengjesit me debat brenda. Por mbi te gjitha, mezi pres te rikthehem dhe te pershendes nga mikrofoni: Mirembrema miq te Tring Sport 1, nje mbremje e madhe e futbollit na pret… (Shpresojme sa me shpejt).