Duro(ni) dhe pak…

Koment nga Anton Cicani

“Ju kërkoni që çdo të diel, çdo ndeshje, të njëjtët futbollistë të jenë në formën e tyre më të mirë dhe të fitojnë. Është e pamundur, është e pamundur!”. Xhovani Trapatoni, një trajner që futbollin e kishte bukën e përditshme dhe jo thjesht mënyrë për të mbushur xhepat dhe bërë i famshëm (vërshëllimat e tij ishin spontaniteti më i bukur) iu drejtua kështu gazetarëve në konferencën për shtyp kur drejtonte Bajernin. Një diskutim që edhe sot ka vlera, sepse në bankën e të akuzuarve ka përfunduar Shpëtim Duro. Sepse Flamurtari barazoi brenda fushës me Luftëtarin, një ekip që meriton vetëm respekt dhe që çdokush do ta ketë të vështirë përballë.

Në Vlorë, kuqezinjtë pësojnë një metamorfozë të frikshme, a thua se librat e Franc Kafkës janë bërë për ata… Presioni i rezultatit dhe lojës, ambienti i ngarkuar me më shumë “shi e re” se muaji i vjeshtës që ka nisur, ndoshta nuk janë idealë për t’i dhënë qetësi ekipit. E megjithatë, trajneri Duro është aty, duke luftuar për një projekt. Nuk ka objektiva, ky Flamurtar. Ky duhet të ecë sipas ditës, një anije që ka lënë bregun dhe që gjatë lundrimit do të hasë edhe stuhi dhe det të trazuar, por që me Duron kapiten mund t’ia dalë të ankorohet në vende të qeta. Duhet vetëm të Duro (ni), fundja jemi në javën e katërt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *