Duro sfidon Kukësin: Ata duan titullin? Ne dëgjojmë muzikën e Champions!

Klodian Duro e pranon: me Kukësin është një ndeshje e veçantë. Gjithsesi e ka fokusin te Kamza e tij dhe haptazi tregon shumë vetëbesim. Kreu i pankinës së skuadrës periferike të kryeqytetit thekson se nuk mendon hakmarrjen, por thjesht fitoren.

Pavarësisht se drejton Kamzën, Duro nuk tregon aspak përulësi. Ai haptazi do ta mundë Kukësin, madje edhe e karikon kundërshtarin, teksa shprehet se nëse ata duan titullin, ata gjithë javën dëgjojnë muzikën e Champions. Në fushë vendoset gjithçka.

NOSTALGJIA – “Ka edhe të tilla ndeshje në futbollin profesionist. Kam respekt maksimal për Kukësin dhe gjithë kuksianet. Ruaj vetëm kujtime pozitive, pasi kaluam një periudhë mjaft të mirë. Në pak kohë realizuam shumë gjëra të mëdha: seri të mirë lojërash dhe duke fituar edhe trofe, që është gjëja më e rëndësishme në futboll. Tani jam i Kamzës dhe mendoj vetëm për këtë ekip”.

HAKMARRJE – “E shoh si një ndeshje futbolli. Nuk ka asnjë hapësirë për hakmarrje me askënd. Jam i përqendruar maksimalisht te një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, me synim të vijojmë rrugën e nisur”.

OBJEKTIVI – “Synimi është fitorja, duam të ecim në këtë rrugë. Çdo ndeshje ka veçoritë e veta, ndaj Kastriotit u treguam më të uritur dhe më të saktë. Tani shohim nga ndeshja në Kukës, që vlen tre pikë, sikurse ndeshja e shkuar”.

GOLAT E SULMUESVE MUNGOJNË – “Jam shumë i kënaqur nga të gjithë. Kemi bërë më të mirën në dy ndeshjet e fundit, do kenë mundësinë të shënojnë të gjithë. Shënoi edhe Teqja në kupë. Me Kastriotin Roloviç shënoi, sikurse edhe Fukui. Plaku dha asist, kurse Martinena u shfaq shpesh para porte. Jam i kënaqur nga të gjithë, jo vetëm nga sulmi. Do të jem edhe më i kënaqur nëse shënojnë edhe sulmuesit e tjerë”.

KUKËSI BAROMETËR – “E kam marrë Kamzën në kampionat e sipër dhe nuk e kam ndërtuar unë. Gjithsesi e mora drejtimin me bindjen se kjo skuadër mund të bëjë mirë në kampionat. Kukësi pretendon për titull, por nuk mendoj se jemi më poshtë. Nëse ata shohin titullin, ne në dhomën e zhveshjes kemi pasur gjatë gjithë javës muzikën e Champions League. Nuk ka bën përshtypje kundërshtari. Shohim vetëm punën tonë dhe duam të japim më të mirën për të treguar në fushë atë që bëjmë në stërvitje”.

NDREU  – “Është një përforcim i orëve të fundit, i cili e njeh mirë Kamzën, por kjo nuk më tremb dhe as më bën përshtypje. Më intereson vetëm ekipi im. Jam shumë i qetë dhe i sigurt se do të ecim në rrugën e fitoreve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *