Duro: Pikë të çmuara dhe të merituara. Bicaj më zhgënjeu

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka mbetur i kënaqur nga fitorja ndaj Lushnjës, e arritur në rrethana të vështira, por ndërkohë ka mbetur shumë i zhgënjyer nga Bicaj dhe kartoni i kuq marrë prej tij. Për Supersportin, pas ndeshjes Duro nuk e fshehu kënaqësinë për faktin që u zhbllokua sulmi.

“Javën e shkuar u mundëm nga një rival shumë i fortë, mjaft cilësor dhe në formë perfekte, ndaj humbja ishte e pranueshme. Sot kishim detyrimin të fitonim, por kishim presion të madh, luanim në Ballsh dhe në temperatura të larta. Skuadra ishte në vështirësi në fillim, kartoni i kuq na krijoi shumë probleme, por ia dolëm.

“Sulmi? Puna e dyshes Bushiç-Alvesh dhe golat që shënuan ata ishin gjëja më pozitive sot. Janë lojtarë shumë të rëndësishëm për ne dhe u duheshin urgjentisht golat për t’u zhbllokuar.

“Kamara? Është një lojtar që e kam kërkuar unë në Vlorë. Unë e konsideroj lojtar formacioni, ka shumë talent dhe do të jetë gjithnjë një alternativë e rëndësishme për mua. Për sa kohë e justifikon praninë e tij në formacion, do të luajë, pasi është një futbollist tek i cili besoj shumë.

“Merkatoja? Kam marrë futbollistë profesionistë, disa me eksperiencë e disa të rinj të talentuar. Sot presioni ishte i madh, sepse humbëm në Korçë, edhe pse luajtëm mirë dhe skuadra më pëlqeu. Sot e kisha më me frikë ndeshjen, ishte një ndeshje në kushte të vështira, dolën edhe probleme të tjera, por rëndësi ka që fituam dhe treguam shumë personalitet.

“Lushnja? Nuk është një kundërshtar i lehtë, janë lojtarë që luajnë bashkë prej vitesh dhe kundër Vllaznisë goli i parë ndryshoi ekuilibrat e ndeshjes, ashtu si mund të ndryshonte ekuilibrat sot kamara, kur nuk shënoi në fillim të ndeshjes. Gjithsesi, fitore jo e lehtë, edhe pse mëse e merituar.

“Kthimi në Vlorë? Besoj pas dy javësh, për ndeshjen e radhës.

“Kartoni i kuq i Bicajt? Nuk dua ta diskutoj punën e arbitrit, i cili është i ri, Bicaj u ndëshkua dhe me eksperiencën që ka nuk i falet. Nuk mund ta pranoj që Bicaj të lërë skuadrën me një lojtar më pak në një moment kur jemi nën presion të madh dhe nuk ishim duke fituar. Nuk më intereson arbitri, Bicaj na la me 10 vetë dhe për fat fituam, por nuk jam aspak i kënaqur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *