Duro: Partizani e ka humbur vetë titullin

0

Trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro shpresonte te fitorja, por gjithsesi e konsideron një hap përpara barazimin ndaj një Partizani goxha luftarak. Tashmë të kuqtë janë jashtë gare për titull, praktikisht, por Duro nuk është dakord me Starovën, që ankohet për gjykimin në shumë ndeshje dhe akuzon federatën për titullin e humbur.

“Më vjen keq për Partizanin, e kam thënë, por nuk e nxorri Flamurtari nga gara për titull. Partizani ka gabuar shumë, e nxorri Vllaznia, më pas Kukësi dhe në fund Laçi, ndrysa ne ndoshta i dhamë goditjen e fundit. Shpresat ishin shumë të pakta, por Partizani respektoi kampionatin dhe bëri mirë, duke dhënë gjithçka. Megjithatë, Partizani nuk duhej të dilte i treti, është një klub me financa, organizim e tifozë, por nuk e administruan mirë situatën, gjatë sezonit.

“Këto ndeshje kanë shumë tension brenda, donim fitoren të dyja palët, por Partizani na goditi në kundërsulm dhe na kapi të papërgatitur. U thashë djemve në pushim se kisha besim se do ta kthenim situatën në favorin tonë. Barazuam, mund të fitonim, por edhe të humbnim. Megjithatë, është një pikë me shumë vlera për të ardhmen, duke parë momentin.

“Starova ndihet i vjedhur? Këto fjalë i dëgjoj çdo ndeshje, kjo ndoshta është e keqja më e madhe e këtij klubi. U morën më shumë me faktorë dytësorë, sesa me ndeshjen, fushën dhe tifozët e mrekullueshëm. Nuk e di ku mund të ketë ankesa Partizani ndaj nesh, sepse titullin e humbën vetë në javët e fundit. Para dy sezonesh e kthyem Partizanin në kupat e Europës, ndërsa tani që organika është e shkëlqyer dhe trajneri është i nivelit të lartë, Partizani mbetet sërish tek i njëjti objektiv, kupat e Europës”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image